Politikë

Maqedoni e Veriut, deri në orën 15:00 votuan mbi 30 për qind e qytetarëve

Kryetari KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski siguroi të gjithë qytetarët duke thënë se votimi do të vazhdojë edhe pas orës 19:00 për të gjithë ata qytetarë që gjenden para vendvotimeve

Abdula Berisha   | 17.10.2021
Maqedoni e Veriut, deri në orën 15:00 votuan mbi 30 për qind e qytetarëve

Shkup

Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) të Maqedonisë së Veriut, deri në ora 15:00 janë përpunuar 94,18 për qind e të dhënave sipas së cilave të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar 541.264 qytetarë, apo 31,5 për qind, transmeton Anadolu Agency (AA).

Të drejtë vote në zgjedhjet e shtata lokale kanë 1.824.864 persona në gjithsej 3.480 vendvotime në të gjithë vendin, ndërsa votimi vazhdon deri në ora 19:00.

Ndërkohë, kryetari KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, në konferencën e radhës për media informoi se procesi i votimit kësaj radhe po zhvillohet më ngadalë dhe se në vendvotime po krijohen radhë.

Si arsye për këtë, ai përmendi vështirësitë me pajisjet për identifikimin e gjurmëve të gishtërinjve të votuesve, që po përdoren për herë të parë në këto zgjedhje, duke theksuar se një pjesë e gjurmëve të gishtërinjve të siguruara nga Ministria e Punëve të Brendshme janë me kualitet të dobët dhe identifikimi i tyre vijon më ngadalë.

Gjithashtu, ai tha se me ndryshimet e fundit, edhe lista zgjedhore tani përmban më shumë fleta dhe gjetja e votuesve në listë është bërë më e ngadaltë, ndërsa shtoi se në krijimin e radhëve kanë kontribuuar protokollet për mbrojtje nga COVID-19 sipas të cilëve në vendvotim nuk duhet të ketë më shumë votues se sa ka kabina votimi.

Megjithatë, Dashtevski siguroi të gjithë qytetarët duke thënë se votimi do të vazhdojë edhe pas orës 19:00 për të gjithë ata qytetarë që gjenden para vendvotimeve.

Raundi i parë i zgjedhjeve të shtata lokale në Maqedoninë e Veriut do të realizohet në 80 komuna dhe Qytetin e Shkupit, ndërsa raundi i dytë është caktuar dy javë më vonë, gjegjësisht më 31 tetor.

Në këto zgjedhje lokale garojnë gjithsej 299 kandidatë për kryetarë komunash dhe 572 lista me gjithsej 10.532 kandidatë për këshilltarë komunalë.

Ndërkohë, përqindjen e daljes së votuesve në zgjedhje në gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, si dhe në komunat përkatëse, mund ta ndiqni në faqen e KSHZ-së: https://rezultati.sec.mk/mk/mayr/t4

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın