Politikë

Britania nënshkruan pakt mbrojtjeje me Finlandën

Pushtimi rus i Ukrainës ka ndryshuar ekuacionin e sigurisë evropiane, tha kryeministri britanik

Ekip   | 11.05.2022
Britania nënshkruan pakt mbrojtjeje me Finlandën

Londër

Kryeministri britanik Boris Johnson nënshkroi sot një marrëveshje të mbrojtjes me Finlandën, raporton Anadolu Agency (AA).

“Pushtimi rus i Ukrainës ka ndryshuar ekuacionin e sigurisë evropiane, ka rishkruar realitetin tonë dhe ka riformuar të ardhmen tonë”, tha Johnson duke folur në një konferencë shtypi në Helsinki.

“Kemi parë fundin e periudhës së pas Luftës së Ftohtë dhe pushtimi i Ukrainës fatkeqësisht ka hapur një kapitull të ri”, tha ai, duke shtuar se lufta i ka bërë edhe më të bashkuar Finlandën dhe Britaninë.

“Ai pushtim ka dështuar tashmë për dy arsye. Së pari, për shkak të shpirtit të pathyeshëm të popullit ukrainas që ka luftuar dhe ka tubuar botën pas tyre. Së dyti, sepse lufta ukrainase për liri, ajo luftë heroike, e ka bashkuar botën në dënimin e këtij sulmi ndaj vlerave tona”, tha Johnson.

Ai shtoi se pakti i mbrojtjes nënkupton se Britania dhe Finlanda mund të intensifikojnë partneritetin e tyre dhe “ta çojnë atë në lartësi të pashoqe”.

“Forcat tona të armatosura do të stërviten, operojnë dhe ushtrojnë së bashku, duke bashkuar aftësitë tona të mbrojtjes dhe sigurisë dhe duke zyrtarizuar një zotim se ne do t’i vijmë gjithmonë në ndihmë njëri-tjetrit”, tha kryeministri britanik.

Ai u zotua se marrëveshja nuk do të shërbejë si “zgjidhje afatshkurtër”, por si një “siguri e qëndrueshme” midis dy vendeve.

Më herët gjatë ditës, Britania nënshkroi një pakt të ngjashëm me Suedinë.

Si Finlanda, ashtu edhe Suedia, po shqyrtojnë nëse do t’i bashkohen NATO-s pasi Rusia nisi luftën kundër Ukrainës në fund të shkurtit.

Ato pritet të marrin vendimet e tyre në fund të këtij muaji.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın