Elena Teslova
29 korrik 2026•Përditësim: 29 korrik 2026
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy tha sot se ai foli në telefon me presidentin francez Emmanuel Macron dhe e informoi atë për takimet e tij në SHBA, transmeton Anadolu.
"Rrugës nga Washingtoni, pata një bisedë me presidentin Macron. E informova Emmanuelin për detajet e takimeve në Shtëpinë e Bardhë dhe Senatin amerikan", tha Zelenskyy. Ai tha se ata diskutuan mbi përgatitjet për dimër, përfshirë pajisje shtesë të mbrojtjes ajrore dhe mbështetje energjetike për Ukrainën dhe se Franca do të punojë për të identifikuar mënyrat për të ndihmuar Kievin.
Zelenskyy tha se ai ofroi ndihmën e Ukrainës në luftimin e zjarreve të mëdha në Francë, duke thënë se specialistët ukrainas ishin të gatshëm për të ndihmuar.
Duke folur në një intervistë për median "Axios", Zelenskyy tha se priste që të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner të vizitonin Kievin brenda dy javëve të ardhshme për të diskutuar mbi ringjalljen e negociatave të paqes dhe për të vlerësuar situatën në terren.
Ai tha se mbeti i interesuar për rifillimin e bisedimeve me Rusinë, por nuk besonte se presidenti rus Vladimir Putin ishte i përgatitur për të ndalur luftimet. Zelenskyy pretendon se Rusia po përgatitet për përshkallëzim të mëtejshëm, përfshirë infrastrukturën për trupat shtesë të Koresë së Veriut dhe mobilizim të mundshëm të deri në 500 mijë personelit të tjerë rus.
Të martën, nënkryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev hodhi poshtë zërat për mobilizim shtesë. Autoritetet ruse kanë hedhur poshtë vazhdimisht akuzat e Ukrainës në lidhje me planet e saj ushtarake dhe thonë se mbetet e hapur për negociata me kusht që të adresohen shqetësimet e saj të sigurisë.
Zelenskyy tha se ai dhe Trumpi kishin rënë dakord të ecnin përpara me planet për të licencuar prodhimin e interceptorëve të mbrojtjes ajrore "Patriot" në Ukrainë ndërsa Kievi i bëri presion Uashingtonit për furnizime shtesë për të mbrojtur infrastrukturën e tij energjetike përpara dimrit.
Ai shtoi se ai i kërkoi Trumpit një "paketë dimërore" urgjente të raketave përgjuese "Patriot", duke paralajmëruar se rezervat ekzistuese të Ukrainës ishin pothuajse të shteruara. Sipas "Axios"-it, Trump tha se do të përpiqej të ndihmonte, por paralajmëroi se furnizimet e SHBA-së ishin nën presion për shkak të kërkesës së lidhur me konfliktin që përfshin Iranin.
Zelenskyy tha se ai u takua me përfaqësues të kompanive amerikane të mbrojtjes Lockheed Martin dhe RTX më parë "Raytheon Technologies", për të diskutuar prodhimin vendas të mbrojtjes ajrore "Patriot".