Politikë

Zaev: Kemi siguruar stabilitet të përhershëm së bashku me aleatët e NATO-s

"Ne jemi të lumtur dhe duhet të jemi, sepse kemi siguruar stabilitet të përhershëm për vendin tonë. Ne kemi siguruar siguri dhe paqe. Progresi dhe zhvillimi tani janë të pandalshëm", tha kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev

Admir Fazlagikj   | 06.02.2019
Zaev: Kemi siguruar stabilitet të përhershëm së bashku me aleatët e NATO-s

Shkup

SHKUP (AA) – Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, me rastin e nënshkrimit të protokollit për anëtarësim të vendit të tij në NATO, ka uruar të gjithë qytetarët, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qeveria e Maqedonisë ka publikuar një mesazh urimi të kryeministrit Zaev.

“Kjo është një ditë e madhe dhe historike për qytetarët tanë. Sot, Aleanca më e madhe e sigurisë në botë, NATO, na ka mirëpritur. Sot ne u ulëm krah për krah me aleatët tanë, në të njëjtën tryezë, në të njëjtën aleancë. Ne jemi të lumtur dhe duhet të jemi, sepse kemi siguruar stabilitet të përhershëm për vendin tonë. Ne kemi siguruar siguri dhe paqe. Progresi dhe zhvillimi tani janë të pandalshëm. Brezat tanë dhe fëmijët e brezave tanë do të jetojnë më mirë në vendin dhe rajonin që rrezaton me shpresë. Le të jemi krenarë", thotë Zaev.

Sot, Maqedonia e cila tejkaloi mosmarrëveshjen 28-vjeçare rreth emrit me Greqinë, ka nënshkruar protokollin për anëtarësimin në NATO.

Ceremonia e nënshkrimit u organizua në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel, ku në emër të Maqedonisë protokollin e nënshkroi ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov. Në ceremoni gjithashtu morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe përfaqësuesit e përhershëm të 29 aleatëve.

- "Moment historik”

Në fjalimin e tij para ceremonisë, Stoltenberg tha se ky është “një moment historik”, duke shtuar se, “Pritëm një kohë të gjatë që ju të jeni pjesë e familjes sonë”.

Ndërsa Dimitrov falënderoi kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev dhe atë të grek, Alexis Tsipras, për mundin e tyre në zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın