Politikë

Zaev-Borisov: Sfidat tona i zgjidhim pa ndërmjetës

Kryeministri bullgar Borisov tha se brenda dy viteve pas nënshkrimit të marrëveshjes mes dy shteteve, u realizuan gjëra të cilat më parë ishin të paimagjinueshme

Abdula Berisha   | 01.08.2019
Zaev-Borisov: Sfidat tona i zgjidhim pa ndërmjetës ( Abdula Berisha - Anadolu Agency )

Shkup

Në dyvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, kryeministri bullgar ka vizituar Shkupin, ku është pritur nga homologu i tij nga Maqedonia e Veriut, Zoran Zaev, raporton Anadolu Agency (AA).

Delegacioni bullgar i kryesuar nga kryeministri Bojko Borisov u prit me nderime të larta shtetërore në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, ku u intonuan edhe himnet e dy shteteve. Pas takimit të delegacioneve, pasoi një konferencë e përbashkët për media, ku dy kryeministrat folën për marrëdhënet mes dy vendeve.

Ata iu referuan marrëveshjes së nënshkruar para dy vitesh, duke thënë se ajo i hapi perspektivat euroatlantike të Maqedonisë së Veriut dhe ishte një shembull i mirë për atë se si ndërtohet fqinjësi e mirë mes dy vendeve.

Kryeministri Zaev tha se Evropa e ka njohur entuziazmin e përbashkët të dy vendeve, me të cilin, siç u shpreh ai, "me të vërtetë Ballkanit i kemi dhënë një pamje të re". Ai shtoi se pas nënshkrimit të marrëveshjes, është intensifikuar bashkëpunimi në të gjitha sferat, si në tregti, infrastrukturë, kulturë, shëndetësi etj.

"Të inkurajuar nga e kaluara dhe të sfiduar nga ardhmëria, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria çdo ditë i tregojnë Ballkanit, Evropës dhe botës se sfidat tona mund t'i zgjidhim përmes bisedimeve, respektit dhe durimit, pa ndërmjetës. Kemi arritur marrëveshje dhe veçse në mënyrë të përbashkët festojmë ngjarje dhe personalitete të historisë së përbashkët të shteteve dhe popujve tanë", tha Zaev.

Ai tha se shpreson që në muajt në vijim të gjendet gjuhë e përbashkët edhe për personalitetin e historisë Goce Dellçev, për të cilin tha se është një hero që i bashkon dy popujt.

Borisov thotë se brenda dy viteve pas nënshkrimit të marrëveshjes mes dy shteteve, u realizuan gjëra të cilat më parë ishin të paimagjinueshme.

"Duhet të punojmë çdo ditë, koha është e shkurtër për të përfunduar me këto të ashtuquajtura tema konflikti për të gjithë heronjtë për të cilët ne diskutojmë. Ata e kanë dhënë jetën e tyre, janë sakrifikuar që të mundemi ne të qëndrojmë këtu së bashku", tha Borisov.

Në bazë të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, është formuar një komision i përbashkët i ekspertëve të cilët duhet të arrijnë marrëveshje në lidhje me tekstet e historisë sa i përket ngjarjeve dhe personaliteteve të përbashkëta historike.

Kryeministri bullgar Borisov ishte kategorik se ky komision deri në tetor duhet të arrijë marrëveshje, duke theksuar se nuk vjen parasysh në pengesë nga ana e Bullgarisë për marrjen e datës për fillim të negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

Ai kërkoi falje për një deklaratë të tij të mëhershme dhe tha se kishte gabuar kur e kishte përdorur termin "maqedono-veriorët", në vend të "qytetarëve të Maqedonisë së Veriut".

Pas konferencës për media, dy kryeministrat bashkë kanë vendosur lule në varrin e Goce Dellçevit në Shkup. Gjatë vizitës së tij në Shkup, Borisov do të takojë edhe presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski, ndërsa më pas do të vizitojë edhe qytetin e Dojranit, ku bashkë me kryeministrin Zaev do të vendosin lule para përmendores së kolonelit Konstantin Kavarnaliev.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.