Politikë

Vëllazëria Muslimane kërkon ndërprerjen e ekzekutimit të 12 anëtarëve të saj

Gjykata më e lartë civile e Egjiptit dje mbështeti dënimin me vdekje për 12 persona ndërsa Vëllazëria Muslimane u ka kërkuar autoriteteve egjiptiane të ndalojnë zbatimin e dënimeve

Ekip   | 15.06.2021
Vëllazëria Muslimane kërkon ndërprerjen e ekzekutimit të 12 anëtarëve të saj

Stamboll

Vëllazëria Muslimane u ka kërkuar autoriteteve egjiptiane të ndalojnë zbatimin e dënimeve me vdekje për 12 persona që janë pjesë e anëtarësisë dhe udhëheqësisë së saj, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, Vëllazëria Muslimane e përshkroi si "hakmarrës" vendimin nga gjykata më e lartë civile e Egjiptit që mbështeti dënimet me vdekje për 12 personat.

Grupi tha se ky veprim nuk do ta pengojë nga rruga dhe puna e tij.

Gjykata dje mbështeti dënimin, ndërsa udhëheqësit e dënuar përfshijnë Mohamed al-Beltagy-n, Safwat Hegazy-n, Abdel-Rahman el-Bar-in, ish ministrin egjiptian Osama Yassin-in dhe Ahmed Aref-in.

Vëllazëria Muslimane i ka kërkuar botës dhe institucioneve të të drejtave të njeriut të deklarohen kundër këtyre vendimeve.

Autoritetet egjiptiane ende nuk kanë komentuar vendimin gjyqësor.

Sipas raportimeve lokale, më 14 gusht 2013, ushtria dhe forcat e policisë shpërndanë dy protesta ku demonstruesit qëndronin ulur në mbështetje të presidentit të ndjerë egjiptian Mohamed Morsi në Kajro.

Sipas Këshillit Kombëtar për të Drejtat e Njeriut në Egjipt, 632 njerëz u vranë, përfshirë 8 oficerë policie, kur forcat e sigurimit shpërndanë me dhunë protestat pro-Morsi në sheshet Rabaa al-Adawiya dhe Giza al-Nahda. Megjithatë, grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, thonë se numri i vdekjeve ishte shumë më i madh.

Forcat e sigurimit arrestuan gjithashtu mijëra mbështetës të Morsit në një përpjekje për të shtypur trazirat që erdhën pas grusht shtetit ushtarak të vitit 2013.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın