Politikë

Turqia "së shpejti" do të njoftojë planin e veprimit për të drejtat e njeriut

"Plani i veprimit për të drejtat e njeriut së shpejti do vijë në pikën përfundimtare. Presidenti ynë do të ndajë detajet dhe kornizën e kësaj në një kohë të shkurtër", tha ligjvënësi Akbaşoğlu në parlamentin turk

Muhammet Emin Avundukluoğlu   | 20.01.2021
Turqia "së shpejti" do të njoftojë planin e veprimit për të drejtat e njeriut

Ankara

Muhammet Emin Akbaşoğlu, nënkryetari i grupit parlamentar të partisë turke në pushtet, asaj për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), ka bërë të ditur se "së shpejti" presidenti Recep Tayyip Erdoğan do të njoftojë një plan të ri veprimi për të drejtat e njeriut, raporton Anadolu Agency (AA).

"Plani i veprimit për të drejtat e njeriut së shpejti do vijë në pikën përfundimtare. Presidenti ynë do të ndajë detajet dhe kornizën e kësaj në një kohë të shkurtër", tha ligjvënësi në parlamentin turk.

Akbaşoğlu theksoi se ligjvënësit po ashtu po punojnë për një ligj në lidhje me të drejtat e kafshëve, i cili siç tha ai, do të vendoset në axhendën e parlamentit në javët e ardhshme.

Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme

Duke folur para gazetarëve në parlament, Akbaşoğlu mohoi pretendimet për zgjedhje të parakohshme në vend, respektivisht para atyre të planifikuara pas dy viteve.

"Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Kombi me vullnetin e tij të drejtpërdrejtë ka autorizuar për pesë vite deputetët tanë, presidentin, legjislaturën dhe organin ekzekutiv. Gjithçka do të bëhet në kohë", tha ai.

Të gjithë duhet të mësohen me sistemin e ri dhe të gjithë duhet të pranojnë vullnetin e kombit, tha Akbaşoğlu, duke iu referuar sistemit ekzekutiv presidencial të qeverisjes së Turqisë që vendi e miratoi në vitin 2017 përmes votimit në një referendum dhe që kaloi në praktikë një vit më vonë pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe presidenciale.

Zyrtarët turq kanë vlerësuar përfitimet nga sistemi i ri, duke theksuar se ky sistem eliminon joefikasitetin dhe mundëson punë më të qetë të administratës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.