Turqia, Politikë

Turqi, arrestohet pjesëmarrësi në sulmin terrorist të vitit 2017 në Izmir

Shtetasi sirian i cili siguroi granata, eksplozivë dhe fishekë pushke për terroristët e PKK-së u arrestua më 4 tetor

Meriç Ürer   | 14.10.2021
Turqi, arrestohet pjesëmarrësi në sulmin terrorist të vitit 2017 në Izmir

Izmir

Forcat turke të sigurisë arrestuan një shtetas sirian i cili furnizoi me granata, eksplozivë dhe fishekë pushke që u përdorën nga terroristët e PKK-së në sulmin e armatosur dhe me autobombë në një gjykatë në qytetin Izmir të Turqisë më shumë se 4 vjet më parë, njoftuan burimet e sigurisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Delil Hiso, me emrin e koduar Delil Azzo, u arrestua në Izmir më 4 tetor në kuadër të një hetimi të kryer nga Zyra e Kryeprokurorit Publik të Izmirit.

Ai doli para gjykatës për veprën e rëndë penale të "prishjes së unitetit të shtetit dhe integritetit të vendit".

Gjithashtu u përcaktua se i dyshuari mori pjesë në një sulm ndaj një automjeti të blinduar të policisë në vitin 2015 në qarkun Nusaybin të provincës Mardin dhe tre sulme me bombë kundër forcave të sigurisë.

Sulmi në vitin 2017

Sulmi terrorist në Izmir ndodhi më 5 janar të vitit 2017, para gjykatës kryesore, kur oficeri i policisë Fethi Sekin ndaloi një automjet i cili dyshohej të kishte eksploziv, duke parandaluar shumë vdekje të tjera.

Duke kuptuar se ai kishte parandaluar një komplot terrorist, Sekin hapi zjarr ndaj terroristëve, duke shkaktuar një përleshje të armatosur mes tyre dhe forcave të sigurisë.

Sekin, i cili kishte vetëm një pistoletë, vrapoi pas dy prej terroristëve që mbanin pushkë automatike. Ai arriti të qëllojë njërin prej tyre, por i mbaroi municioni. Ai u vra ndërsa po përpiqej të tërhiqej.

Përleshja dhe shpërthimi me automjet lanë të vdekur Sekin-in dhe zyrtarin e gjykatës Musa Can dhe 9 të tjerë të plagosur.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e gati 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.