Berk Kutay Gökmen
24 korrik 2026•Përditësim: 24 korrik 2026
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është takuar me këshilltarët e tij të lartë dhe anëtarët e kabinetit për të shqyrtuar mundësinë e zgjerimit të veprimeve ushtarake kundër Iranit, transmeton Anadolu.
Sipas New York Times, takimi u zhvillua teksa Trump po rishqyrton politikën amerikane pasi armëpushimi i brishtë u shemb dhe negociatat për arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë për çarmatimin bërthamor dështuan.
Në një intervistë për Axios të enjten, Trump tha: “Po shqyrtoj një sulm masiv. Më të madh se kurrë më parë. Jam pranë marrjes së një vendimi. Jemi plotësisht të përgatitur për këtë”.
Ai gjithashtu la të kuptohet se Izraeli ka të ngjarë të mos marrë pjesë në një përshkallëzim të ri, duke paralajmëruar se mund të ketë “pasoja” për Izraelin, me sa duket nga Irani. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet të takohet me Trumpin në Washington javën e ardhshme.
Trump e ka përshkruar vazhdimisht fushatën ushtarake amerikano-izraelite si një “ndërhyrje të shkurtër”, megjithëse konflikti tashmë është zgjatur për gati pesë muaj.
Armëpushimi përfundoi pasi Irani ndërmori një sulm me dron ndaj një anijeje mallrash në Ngushticën e Hormuzit, i pasuar nga sulme të tjera detare. Më pas, SHBA-ja rifilluan sulmet ndaj Iranit dhe rivendosën bllokadën ushtarake në ngushticë.
Gjatë dy javëve të fundit, sulmet iraniane ndaj interesave amerikane, përfshirë një bazë ushtarake në Jordani, kanë vrarë katër ushtarakë amerikanë.
Pavarësisht kërcënimeve të herëpashershme të Trumpit për bombardime më të rënda, Irani ka vazhduar sulmet e tij. Sipas raportit, SHBA-ja i konsideron disa nga udhëheqësit aktual të Iranit si më “radikalë” sesa ata që u vranë në operacionet e mëparshme amerikano-izraelite.