Politikë

Thaçi shpall zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës

“Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në Komunën e Podujevës, bazuar në vendimin e presidentit Thaçi, do të mbahen më 15 mars 2020”, bëhet e ditur në njoftimin nga Zyra e Presidentit të Kosovës

Agim Sulaj   | 07.02.2020
Thaçi shpall zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës

Prishtinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka shpallur datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në Komunën e Podujevës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një komunikatë për media nga Zyra e Presidentit të Kosovës, bëhet e ditur se “Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në Komunën e Podujevës, bazuar në vendimin e presidentit Thaçi, do të mbahen më 15 mars 2020”.

Rrjedhimisht, presidenti Thaçi e ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme “për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Podujevës, në përputhje me vendimin e tij dhe ligjin në fuqi”.

Po ashtu, në vendimin e presidentit Thaçi thuhet se në pajtim me ligjin, Kuvendi i Komunës së Podujevës “nuk mund të marrë asnjë vendim lidhur me dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës nga dita e shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të kësaj komune”.

Këto zgjedhje të jashtëzakonshme komunale vijnë pasi kryetari i deritanishëm i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, është emëruar ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Qeverinë e Kosovës.

Agim Veliu është themelues i LDK-së në Podujevë. Ai që nga viti 2009 ka fituar zgjedhjet lokale në këtë komunë për tri herë radhazi (2009, 2013, 2017) dhe ka qenë kryetar i kësaj komune deri sa mori postin e ri.

Në zgjedhjet e vitit 2017, të fundit lokale në territorin e Kosovës, Agim Veliu ka pasur rreth 20 mijë votues apo 63,78 për qind të votave, i ndjekur nga kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Ajet Potera me rreth 11 mijë vota apo 36 për qind të votave të përgjithshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.