
Prishtine
PRISHTINË (AA) - Është nënshkruar marrëveshja për kyçje në mes të KOSTT, si Operator i Sistemit të Transmisionit (OST) të Republikës së Kosovës dhe ENTSO-së organizatë evropiane e përfaqësuar nga 30 OST të Grupit Regjional të Evropës Kontinentale, bëri të ditur ministrja për Dialog, Edita Tahiri.
Në një komunikatë për mediat, ministrja Tahiri ka vlerësuar lartë arritjen e kësaj marrëveshje ndërkombëtare mes KOSTT dhe ENTSO-së duke theksuar se me këtë marrëveshje Kosova ka fituar njohje ndërkombëtare në sistemin e transmisionit të energjisë dhe është bërë zonë e mëvetme rregulluese në veprimtarinë e saj të transmisionit të energjisë.
“Me këtë marrëveshje Kosova ka arritur subjektivitet ndërkombëtar në fushën e transmisionit të energjisë dhe tani e tutje KOSTT do të jetë partner dhe zonë e mëvetme rregulluese në sistemin e rregullimit të transmisionit të energjisë në rajon. Kjo arritje e madhe në fushën e energjisë është rezultat i Dialogut të Brukselit përkatësisht i marrëveshjes për Energjinë e arritur më 8 shtator 2013 dhe marrëveshjes së 25 gusht 2015, me të cilën u hoqën pengesat e Serbisë e cila kishte bllokuar Kosovën në këtë çështje” theksoi Tahiri.
Ajo më tej ka shtuar se marrëveshja për energjinë e vitit 2013 kishte paraparë heqjen e pengesave të Serbisë ndaj avancimeve ndërkombëtare të shtetit të Kosovës në fushën e energjisë.
“Mirëpo, Serbia për dy vite me radhë kishte bllokuar njohjen e Kosovës si subjekt ndërkombëtar në fushën e transmisionit pranë organizatës evropiane ENTSO-s. Pas arritjes së marrëveshjes për zhbllokimin e kësaj pengese me 25 gusht 2015 në Bruksel, Serbia më në fund ka hequr pengesat politike dhe ka ndalur obstruksionet në këtë proces,” vlerësoi Tahiri, sipas së cilës këto arritje janë në frymën e Traktatit të Komunitetit për Energjinë për Evropën Juglindore ku Kosova ka dëshmuar kapacitete shtetërore përmes KOSTT i cili ka avancuar punën e vet sipas standardeve evropiane.
“Marrëveshja në fjalë vendos kufirin elektrik mes Kosovës dhe Serbisë dhe i jep fund ndërhyrjeve të Serbisë në sistemin e transmisionit të Kosovës. Efektet pra janë politike, ekonomike dhe të sigurisë dhe se KOSTT tani e tutje do të operojë si sistem i transmisionit të Kosovës sinkron me Sistemin Evropian të Transmetimit të energjisë elektrike” thuhet në kumtesën e ministres për Dialog, Edita Tahiri.
.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.