Politikë

Rusia "e shqetësuar" për tensionet ndëretnike në Bosnjë e Hercegovinë

Rusia vlerëson se me imponimin e "zgjidhjeve të gatshme" nga jashtë nuk mund të arrihet ndonjë efekt pozitiv

Elena Teslova  | 26.10.2021 - Përdıtësım : 27.10.2021
Rusia "e shqetësuar" për tensionet ndëretnike në Bosnjë e Hercegovinë

Moskë

Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) e Rusisë ka shprehur shqetësimin për rritjen e tensioneve ndëretnike në Bosnjë e Hercegovinë, duke paralajmëruar për “një kërcënim të mundshëm për stabilitetin dhe sigurinë” e vendit dhe Ballkanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim, ministria tha se pret "një diskutim të detajuar" të situatës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së më 2 nëntor.

“Nga ana jonë, ne theksojmë papranueshmërinë kategorike dhe natyrën e dallueshme anti-dejtonike të politikës së demonizimit të popullit serb të Bosnjë e Hercegovinës, të cilën disa forca të brendshme dhe të jashtme po e ndjekin me një këmbëngulje sikur të jetë e denjë për zbatim", thuhet në kumtesë.

"Ne e konsiderojmë të nevojshme të paralajmërojmë se një linjë e tillë provokuese është e mbushur me pasojat më negative, përgjegjësia për të cilën do të bjerë vetëm mbi supet e autorëve të saj. Në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare, kërcënimet me sanksione të njëanshme janë të paligjshme dhe të padenja“, thuhet në deklaratë.

Nga MPJ-ja ruse kujtojnë se Marrëveshja e Dejtonit sugjeron të drejta të barabarta të tre "kombeve shtetformuese" dhe bëjnë thirrje për dialog mbi të gjitha çështjet e diskutueshme, përfshirë reformimin e legjislacionit zgjedhor.

Në kumtesë thuhet se amendamentet duhet të hartohen brenda Bosnjë e Hercegovinës dhe të sigurojnë "përfaqësim adekuat dhe legjitim në të gjitha nivelet e pushtetit", duke shtuar se me imponimin e "zgjidhjeve të gatshme" nga jashtë nuk mund të arrihet ndonjë efekt pozitiv.

"Ne bëjmë thirrje për një fund të menjëhershëm të ndërhyrjes shkatërruese në punët e brendshme të Bosnjë e Hercegovinës sovrane. Dëshira për të përdorur mekanizmin e komitetit administrativ të Këshillit për Zbatimin e Paqes për të zgjidhur çështjet që nuk kanë lidhje me Dejtonin po dëmton qartë këtë institucion shumëpalësh, i cili kohët e fundit është diskredituar gjerësisht nga shkeljet e praktikave të konsensusit në aktivitetet e saj”, thonë nga MPJ-ja ruse.

Më 14 tetor, anëtari serb i Këshillit të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodiç tha se disa vende të BE-së mbështesin shpërbërjen e Bosnjë e Hercegovinës.

Në përgjigje, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se vënia në pikëpyetje e integritetit dhe sovranitetit të Bosnjë e Hercegovinës nuk ishte e pranueshme për BE-në.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.