Politikë

"Raporti i ODIHR-it, dëshmi se procesi zgjedhor në Shqipëri ka qenë i rregullt"

Ministri Cakaj theksoi se "Askund në raport ODIHR nuk konstaton se zgjedhjet në Shqipëri kanë qenë jolegjitime sepse opozita ka vendosur të mos marrë pjesë në to"

Fatjon Cuka   | 06.09.2019
"Raporti i ODIHR-it, dëshmi se procesi zgjedhor në Shqipëri ka qenë i rregullt" ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, e konsideron raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore në Shqipëri një dëshmi se procesi zgjedhor ka qenë i rregullt dhe i njohur ndërkombëtarisht, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Cakaj në një konferencë për mediat ka folur në lidhje me gjetjet e raportit për procesin zgjedhor, ndërsa theksoi se "Askund në raport ODIHR nuk konstaton se zgjedhjet në Shqipëri kanë qenë jolegjitime sepse opozita ka vendosur të mos marrë pjesë në to."

"Tashmë me publikimin e raportit të ODHIR-it ekziston një dëshmi e qartë dhe objektive se procesi zgjedhor në Shqipëri ka qenë i rregullt, demokratik dhe i njohur ndërkombëtarisht. Për më shumë kemi edhe një udhërrëfyes të strukturuar metodik dhe politik sesi mund të rritet besueshmëria e përgjithshme në procesin zgjedhor dhe cilësia e organizimit të zgjedhjeve në veçanti", u shpreh Cakaj.

Ai theksoi se më me rëndësi do të ishte rifillimi i një dialogu politik, sipas tij, për të adresuar të gjitha shqetësimet që janë reflektuar në raport.

"Duhet theksuar për të qenë i përgjegjshëm në raport me të gjeturat e misionit vëzhgues të ODIHR-it se natyrisht në procesin zgjedhor në Shqipëri ka pasur probleme. Sidoqoftë nuk mund të identifikohet shuma e problemeve jashtë shkaktarëve të tyre, për shkak se identifikimi i shkaktarëve, i faktorëve që kanë çuar në probleme është esencial në shpjegimin e vetë raportit dhe cilësisë së procesit zgjedhor në përgjithësi", tha më tej ministri Cakaj.

Në raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 30 qershorit në Shqipëri që u publikua zyrtarisht dje, theksohet se "Dita e zgjedhjeve ishte përgjithësisht paqësore, megjithë tensionet dhe përplasjet e izoluara në një numër të vogël".

"Vërejtjet e aktorëve kryesorë politikë pas zgjedhjeve përsëri pasqyruan ndarje të thella, dhe disa kryebashkiakë në largim deklaruan publikisht se nuk do të pranonin rezultatet e votimit të 30 qershorit", thuhet në raport.

- Zgjedhjet vendore në Shqipëri

Zgjedhjet vendore për kryetarët e 61 bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë u zhvilluan më 30 qershor të këtij viti sipas dekretit të parë të presidentit të vendit, Ilir Meta, i cili u anulua më 10 qershor. Dekreti i ri që përcakton 13 tetorin si datë për zgjedhjet vendore nuk është mbështetur dhe njohur nga kryeministri Edi Rama.

Në zgjedhje mori pjesë partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë (PS), e drejtuar nga Rama së bashku me disa parti aleate të saj.

Nga ana tjetër, partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), bojkotuan zgjedhjet vendore, ndërsa pjesë e procesit zgjedhor ishin disa parti të tjera opozitare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın