Politikë

Rama: Mbetet prioritare që të fokusohemi tek investimet

Pyetjes nëse është diskutuar për luftën kundër organizatës terroriste FETO, gjatë takimeve me ministrin e Brendshëm turk, Süleyman Soylu, që vizitoi Shqipërinë disa ditë më parë, Rama iu përgjigj: “Patjetër kemi diskutuar, po"

Saimir Alija   | 30.07.2019
Rama: Mbetet prioritare që të fokusohemi tek investimet ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Në një bashkëbisedim me gazetarët, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur në lidhje me aspektet e ndryshme të qeverisjes gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, si dhe për prioritetet e Qeverisë që ai drejton në muajt e ardhshëm, raporton Anadolu Agency (AA).

Rama është ndalur tek aspektet e qeverisjes, si për ekonominë, financat publike, energjinë, mbrojtjen, arsimin, investimet, shëndetësinë dhe turizmin.

Në lidhje me ekonominë, ai tha se edhe pse në situatë të pafavorshme, u rrit krahasuar me një vit më parë me 2,21 për qind.

"Mbetet prioritare që të fokusohemi tërësisht më tutje tek investimet publike dhe investimet private vendase dhe të huaja. Punësimi ka shënuar një përparim, është rritur 1,4 për qind krahasuar me një vit më parë. Një fakt vlen të nënvizohet, pasi zyrat e punës në këtë gjashtëmujor kanë realizuar 16 mijë punësime", tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë theksoi se financat publike janë të qëndrueshme dhe borxhi rezulton me një ulje në raport me qershorin e vitit të shkuar.

"Tregtia me jashtë posaçërisht në zërin eksporti i produkteve bujqësore ka shënuar një rritje me 12 për qind. Për herë të parë kemi një ngushtim të bilancit import-eksport në sektorin ushqimor", tha Rama.

Për sektorin e turizmit, Rama tha se, "Në gjashtëmujorin e parë të vitit kemi një rritje me 11 për qind të vizitorëve të huaj, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të shkuar. Vazhdojmë të punojmë intensivisht për të siguruar një volum të konsiderueshëm investimesh të huaja në turizëm".

Për sa i përket sektorit të energjisë, ai u shpreh se janë duke parë mundësinë e diversfikimit të pranisë së kompanive të mëdha në këtë sektor dhe shtoi se, “Nuk do të lejohet më kurrë që në emër të prodhimit të energjisë të preken zona me rëndësi nga pikëpamja natyrore dhe turistike".

Duke folur për sektorin shëndetësor, Rama tha sem, "Kemi zgjidhur përfundimisht çështjen e mungesës së mjekëve në spitale. Urgjenca mjekësore sipas të dhënave elektronike ka një përmirësim të jashtëzakonshëm në raport me të shkuarën".

"Po përfundojnë proceset përgatitore për fillimin e investimit të NATO-s në Bazën Ajrore të Kuçovës dhe është finalizuar marrëveshja dypalëshe me Departamentin Amerikan të Mbrojtjes për marrjen e helikopterëve Black Hawk”, theksoi më tej Rama.

Rama ka folur edhe për sektorin e arsimit, duke u ndaluar edhe tek investimet nëpër konvikte.

"Në këtë periudhë të parë të vitit janë përmbushur sipas afateve të përcaktuara të gjitha angazhimet e paktit për universitetin dhe pjesa tjetër është brenda afateve. Së shpejti fillon rindërtimi i konvikteve në Shkodër, Vlorë dhe Korçë. Po bëhet gati financimi për konviktet e Elbasanit dhe Gjirokastrës. Do të përfundojnë të gjitha konviktet në kampusin e Tiranës", u shpreh kryeministri Rama.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, në lidhje me zhvillimet politike në vend, Rama tha se nuk ka një komunikim me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.

“Jemi të gatshëm të dialogojmë çdo moment me opozitën jashtëparlamentare, por nuk jemi të gatshëm të negociojmë asgjë lidhur me vullnetin e popullit të shprehur me votë”, tha ai.

Pyetjes nëse është diskutuar për luftën kundër organizatës terroriste FETO, gjatë takimeve me ministrin e Brendshëm turk, Süleyman Soylu, që vizitoi Shqipërinë disa ditë më parë, Rama iu përgjigj, “Patjetër kemi diskutuar, po".

Kujtojmë se në zgjedhjet e qershorit 2017, Rama në krye të Partisë Socialiste të Shqipërisë, fitoi një mandat të dytë qeverisës, pa pasur nevojën e formimit të një koalicioni qeveritar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın