Politikë

"Pritshmëritë burojnë nga merita e Shqipërisë për të filluar bisedimet me BE-në”

Lidhur me këtë proces, Balla në fjalën e tij në seancën parlamentare tha se Gjermania është vendi që drejton një betejë diplomatike, politike dhe gjeopolitike

Saimir Alija   | 17.10.2019
"Pritshmëritë burojnë nga merita e Shqipërisë për të filluar bisedimet me BE-në” ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Kuvendi i Shqipërisë gjatë seancës së sotme plenare ka zhvilluar diskutime mbi çështjen e procesit të pritshëm të negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se lidhur me këtë proces Gjermania është vendi që drejton një betejë diplomatike, politike dhe gjeopolitike.

“Pritshmëritë burojnë nga merita e Shqipërisë për të filluar bisedimet për anëtarësim. Sot ne duhet të jemi të gjithë krenar që Gjermania është vendi që drejton një betejë sa diplomatike, sa politike, sa gjeopolitike për t’i dhënë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut rrugën e fillimit të bisedimeve për anëtarësim. Ajo matricë gjermane e detyrave të shtëpisë padyshim që është instrumenti më i mirë që unë nuk e di ta gjej arsyen se pse edhe presidenti Francës nuk e gjen veten në këtë instrument”, u shpreh Balla.

Duke folur për vendet skeptike, por edhe për vendet që mbështesin hapjen e negociatave BE-Shqipëri, Balla tha se, “Shqipëria ka bërë ditë për ditë, madje më shumë sesa ju tha dy vite më parë dhe një vit më parë. Sot jemi në kushtet kur 26 vende anëtare të BE-së mendojnë që Shqipëria i ka përmbushur, madje tejkaluar ato kushte që ka pasur si detyra shtëpie”.

Ndërsa kryetarja e Komisionit të Integrimit Evropian në Kuvendin e Shqipërisë, Rudina Hajdari, në fjalën e saj tha se politika ka dështuar në hapjen e dyerve të negociatave për në BE.

“Duket qartë që ne kemi dështuar t'i japim shqiptarëve atë që meritojnë. Duket qartë që kemi dështuar t’i japim shqiptarëve një shpresë për të rinjtë dhe një vizion të qartë që tregon që ne duhet të hapim dyert e Evropës. Duhet të jemi të qartë dhe me shqiptarët e të mos u shesim shqiptarëve fabula të dështuara”, tha ajo.

Sipas Hajdarit, Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe për frymë të re politike.

"Ju inkurajoj që ditët në vijim të jemi sa më të fortë dhe të tregohemi të qartë me shqiptarët se çfarë do të ndodhë me hapjen e negociatave. Kjo është një javë përcaktuese për realitetin tonë dhe ne duhet të jemi sa më të qartë se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim për Shqipërinë", tha Hajdari.

Shqipëria është vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2014 dhe është në pritje të vendimit në lidhje me negociatat e anëtarësimit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın