Politikë

Polonia redukton marrëdhëniet diplomatike me Hungarinë

- Sebastian Keciek, i cili ka shërbyer si ambasador i Polonisë në Hungari që nga viti 2022, është tërhequr, duke e lënë ambasadën polake në Budapest të drejtohet nga një i "ngarkuar me punë"

Melike Pala  | 18.07.2025 - Përdıtësım : 18.07.2025
Polonia redukton marrëdhëniet diplomatike me Hungarinë

Bruksel

BRUKSEL (AA) - Polonia ka ulur nivelin e marrëdhënieve diplomatike me Hungarinë, duke tërhequr zyrtarisht ambasadorin e saj, transmeton Anadolu.

Siç raporton 'TVP Info', zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Polonisë, Pawel Wronski, tha se Sebastian Keciek, i cili ka shërbyer si ambasador i Polonisë në Hungari që nga viti 2022, është tërhequr, duke e lënë ambasadën polake në Budapest të drejtohet nga një i "ngarkuar me punë".

Zv.ministri i Punëve të Jashtme i Hungarisë, Levente Magyar, e pranoi hapur përkeqësimin e marrëdhënieve.

"Polonia më në fund e ka tërhequr ambasadorin e saj, duke ulur zyrtarisht nivelin e marrëdhënieve diplomatike midis vendeve", tha Magyar.

Ai e përshkroi këtë veprim si të paprecedentë, duke shtuar se "përkeqësimi gradual i marrëdhënieve politike ka çuar në këtë hap të dhimbshëm".

Megjithatë, zv.ministri hungarez shprehu shpresën për një rikthim në dialog.

Përçarja diplomatike buron nga vendimi i Budapestit për t'i dhënë azil politik Marcin Romanowskit, ish-zv.ministër polak i Drejtësisë, i lidhur me partinë opozitare Ligj dhe Drejtësi (PiS).

Romanowski është nën hetim nga Prokuroria Kombëtare e Polonisë për dyshime mbi përfshirje në një grup të organizuar kriminal dhe keqpërdorim fondesh të lidhura me Fondin e Drejtësisë. Ndaj tij është lëshuar një urdhërarrest polak dhe evropian.

Si përgjigje ndaj veprimit të Hungarisë, ministri polak i Punëve të Jashtme, Radoslaw Sikorski, e thirri ambasadorin Keciek në Varshavë për konsultime të pacaktuara në dhjetor të vitit 2024.

Të hënën, Ministria e Punëve të Jashtme e Polonisë konfirmoi se misioni i ambasadorit Keciek ka përfunduar zyrtarisht për shkak të "gjestit jo miqësor të Hungarisë" dhe shkeljes së parimit të besnikërisë së ndërsjellë të BE-së.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.