Amir Latif Arain
29 korrik 2026•Përditësim: 29 korrik 2026
Pakistani dhe Kuvajti diskutuan mbi mënyrat për të zgjeruar "partneritetin e tyre më të gjerë ekonomik" dhe për të forcuar bashkëpunimin në mbrojtje, tregti, investime, energji, bujqësi, miniera dhe minerale, transmeton Anadolu.
Gjatë bisedimeve në nivel delegacionesh mes ministrit të Jashtëm të Kuvajtit, Sheikh Jarrah Jaber Al-Ahmad Al-Sabah, i cili ndodhet për vizitë në Pakistan dhe homologut të tij pakistanez Ishaq Dar në Islamabad, të dyja palët ranë dakord të institucionalizojnë më tej bashkëpunimin dypalësh përmes forcimit të lidhjeve institucionale dhe shkëmbimeve të rregullta në nivele të larta, sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme të Pakistanit.
Të dyja palët shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare me interes të përbashkët, përfshirë situatën në Lindjen e Mesme dhe Palestinë.
"Dy palët shqyrtuan të gjithë spektrin e marrëdhënieve dypalëshe Pakistan-Kuvajt dhe riafirmuan angazhimin e tyre për koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë në forumet shumëpalëshe për çështje me interes të përbashkët", thuhet në deklaratë.
Dar riafirmoi angazhimin "e thellë" të Pakistanit ndaj marrëdhënieve "vëllazërore dhe afatgjata" me Kuvajtin dhe theksoi dëshirën e Islamabadit për të zgjeruar më tej partneritetin me përfitime të ndërsjella në të gjitha fushat e bashkëpunimit.
Diplomati i lartë kuvajtian, nga ana e tij, vlerësoi rolin "konstruktiv" të Pakistanit në promovimin e paqes dhe stabilitetit rajonal. Al-Sabah mbërriti në Islamabad të martën për një vizitë zyrtare dyditore, në një kohë të tensioneve të rritura në Lindjen e Mesme.