Berk Kutay Gökmen
29 korrik 2026•Përditësim: 29 korrik 2026
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump prezantoi një rregull të ri që mund të dërgojë drejtpërdrejt qindra mijëra azilkërkues në gjykatat e imigracionit për procedura dëbimi, transmeton Anadolu.
Rregulli i ri me titull "Referimet e azilit afirmativ pa intervistë", nga Shërbimi i Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së (USCIS), hyri në fuqi pa kaluar nëpër një periudhë njoftimi dhe konsultimi publik.
Politika synon të reduktojë me gati një të tretën 1,4 milion çështjet e azilit në pritje pranë USCIS-it dhe hyri menjëherë në fuqi.
Më parë, shumë azilkërkues mund t'i paraqisnin kërkesat e tyre përpara një zyrtari të azilit në USCIS. Nëse kërkesa refuzohej, ata mund t'i referoheshin gjykatës së imigracionit ose të vazhdonin të ndiqnin procedurat për marrjen e statusit ligjor.
Sipas rregullit të ri, deri në 444.724 çështje mund t'u transferohen drejtpërdrejt gjyqtarëve të imigracionit, të cilët tani kanë autoritet më të gjerë për të rrëzuar disa raste pa zhvilluar seancë.
Administrata thotë se ndryshimi i përgjigjet një sistemi azili në "krizë të paprecedentë", duke argumentuar se ai është shfrytëzuar për vonesa dhe marrje të lejeve të punës, në vend të kërkesave të ligjshme për mbrojtje.
Masa është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të Trumpit për të riformuar politikën e azilit në SHBA. Që nga rikthimi në detyrë, Trump ka kufizuar qasjen në azil në kufirin SHBA-Meksikë dhe ka zgjeruar masat kundër emigrantëve që ndodhen tashmë në vend, përfshirë ata që kanë hyrë ligjërisht dhe më pas kanë aplikuar për azil.