Politikë

Mianmari pajtohet të fillojë riatdhesim e popullit Rohingya këtë vit

Sekretari i jashtëm i Bangladeshit, Masud Bin Momen, tha se janë përpjekur që riatdhesimi të fillojë në tremujorin e parë, por sipas tij, Mianmari kërkoi më shumë kohë për rregullime logjistike dhe fizike

Ekip   | 20.01.2021
Mianmari pajtohet të fillojë riatdhesim e popullit Rohingya këtë vit Foto: Stringer

Dhaka

Mianmari ra dakord për thirrjet nga Bangladeshi në një takim trepalësh të ndërmjetësuar nga Kina për të filluar riatdhesimin e shumë pritur të popullit Rohingya në tremujorin e dytë të këtij viti, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit trepalësh, sekretari i jashtëm i Bangladeshit, Masud Bin Momen, tha se janë përpjekur që riatdhesimi të fillojë në tremujorin e parë, por sipas tij, Mianmari kërkoi më shumë kohë për rregullime logjistike dhe fizike.

"Kështu që ne kërkuam të niset riatdhesimi në tremujorin e dytë dhe ata ranë dakord për këtë", tha Momen.

Përveç kësaj, zyrtari i Bangladeshit tha se Kina dhe Mianmari po ashtu u pajtuan mbi propozimin e nxitur nga Bangladeshi për të mbajtur praninë e komunitetit ndërkombëtar në shtetin Rakhinë të Mianmarit gjatë riatdhesimit.

Kina do të sigurojë vaksinime falas kundër koronavirusit të ri (COVID-19) për njerëzit Rohingya në fazën e parë të riatdhesimit.

Disa ditë para takimit, ministri i Punëve të Jashtme i Bangladeshit, AK Abdul Momen, tha se "riatdhesimi është zgjidhja e vetme për t'i dhënë fund krizës së popullit Rohingya dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër".

Zv/ministri i Punëve të Jashtme i Kinës, Luo Zhaohui, u bashkua në takimin e parë të nivelit të sekretarëve midis Bangladeshit dhe Mianmarit nën ndërmjetësimin e Kinës.

Në takim po ashtu u paraqit një propozim për të dërguar një grup Rohingya për të vizituar shtetin Rakhinë në mënyrë të drejtpërdrejtë, me qëllim për të krijuar një mjedis për ata që kthehen.

Përgatitjet e Mianmarit për riatdhesim

Zv/ ministri për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Mianmarit, Hau Do Suan, po ashtu mori pjesë në takimin trepalësh të mbajtur përmes video-konferencës.

"Mianmari ka bërë të gjitha marrëveshjet e nevojshme për riatdhesimin dhe ripohon gatishmërinë për të pritur personat e zhvendosur të verifikuar në përputhje me marrëveshjet dypalëshe", tha Ministria e Punëve të Jashtme e Mianmarit.

Megjithatë, njoftimi nuk përmendi një datë specifike se kur do të ndodh riatdhesimi.

"Pilot projekti është në proces për riatdhesimin e personave të zhvendosur. Mianmari është i gatshëm të fillojë procesin me personat e zhvendosur të verifikuar që do të riatdhesohen nën pilot projektin", tha njoftimi i ministrisë, duke cituar zv/ministrin Suan.

Ai po ashtu theksoi nevojën që të kthyerit të plotësojnë dhe nënshkruajnë formularët e rënë dakord që përmbajnë dy pika për të siguruar vullnetarizmin e tyre për t'u kthyer dhe detyrimin për t'iu përmbajtur ligjeve ekzistuese të Mianmarit.

Zv/ministri Suan kërkoi nga Bangladeshi të adresojë çështjen e elementeve terroriste që frikësojnë dhe kërcënojnë personat e zhvendosur që të mos kthehen në Mianmar.

Megjithatë, Bangladeshi tha se nuk lejon dhe nuk do të lejojë asnjë kryengritës në vend dhe se është në dijeni të kësaj çështjeje.

Dy përpjekjet e fundit për riatdhesimin e popullit Rohingya në bazë të një marrëveshjeje dypalëshe midis Bangladeshit dhe Mianmarit, të nënshkruar në vitin 2017, dështuar të arrijnë ndonjë rezultat, pavarësisht nga garantimet e përsëritura të Mianmarit për të filluar riatdhesimin.

Takimi i fundit trepalësh u mbajt më 20 janar të vitit të kaluar në New York dhe që atëherë Mianmari pretendohet se ka prolonguar në vazhdimësi bisedimet dypalëshe, pavarësisht përpjekjeve të përsëritura nga Bangladeshi.

Popull i persekutuar Rohingya

Populli Rohingya, i përshkruar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) si njerëzit më të persekutuar në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmeve, pasi dhjetëra u vranë në dhunën e vitit 2012.

Sipas organizatës "Amnesty International", më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017, duke e çuar numrin e njerëzve të persekutuar në Bangladesh në më shumë se 1,2 milionë.

Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.

Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i agjencisë OIDA, i titulluar "Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar".

Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın