Kanyshai Butun
31 korrik 2026•Përditësim: 31 korrik 2026
Nënkryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev tha se Moska duhet të ndjekë një “mbrojtje aktive” kundër sanksioneve perëndimore, në vend që “thjesht të qëndrojë në llogore”, transmeton Anadolu.
Duke folur në një takim për kundërvënien ndaj sanksioneve perëndimore kundër kompanive ruse, Medvedev tha se regjimi i sanksioneve është bërë gjithnjë e më gjithëpërfshirës dhe sistematik që nga viti 2014.
“Po përdoren një sërë masash të paligjshme, jo vetëm disa, por një numër i madh i tyre, si ngrirja e aseteve, të ashtuquajturat ndalime sektoriale dhe kufizimet e eksportit”, tha ai në deklarata të publikuara në rrjetin social rus Max.
Medvedev argumentoi se sanksionet kanë dështuar ta gjunjëzojnë ekonominë ruse, por pranoi se ato “sigurisht krijojnë vështirësi”.
Ai akuzoi Bashkimin Evropian se udhëheq fushatën e sanksioneve, duke thënë se edhe SHBA-ja, Japonia, Kanadaja dhe Australia kanë dëmtuar interesat e bizneseve ruse në kuadër të asaj që ai e përshkroi si përpjekje për t’i shkaktuar Moskës “disfatë strategjike”.
Medvedev tha se përpjekje të tilla janë “të destinuara të dështojnë”, por kërkojnë një përgjigje më të fortë.
“Dua të theksoj se duhet të flasim pikërisht për mbrojtje aktive”, tha ai. “Nuk bëhet fjalë vetëm për të qëndruar në llogore dhe si të thuash, për t’iu kundërpërgjigjur me zjarr, por për mbrojtje aktive. Këtu duhet të mendojmë se çfarë mjetesh do të përdorim në të ardhmen”, shtoi Medvedev.
Ai tha se Rusia duhet të vazhdojë të sfidojë sanksionet përmes gjykatave dhe masave ligjore të brendshme, duke miratuar njëkohësisht një qasje më sistematike për mbrojtjen e interesave të vendit dhe zgjerimin e ndikimit të saj jashtë vendit.