Politikë

Kuvendi i Kosovës miratoi buxhetin për vitin 2019

Sipas ligjit të miratuar buxheti i Kosovës në vitin 2019 është 2.37 miliardë euro

Zülfiya Yakup   | 03.02.2019
Kuvendi i Kosovës miratoi buxhetin për vitin 2019

Prishtinë

PRISHTINË (AA) – Kuvendi i Kosovës miratoi projektligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas debatit dhe votimit mbi amendamentet, u votua edhe projektligji për buxhetin në tërësi. Votën për buxhetin e propozuar e kanë dhënë 65 deputetë. Deputetët e partive opozitare Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje nuk morën pjesë në votim.

Sipas ligjit të miratuar buxheti i Kosovës në vitin 2019 është 2.37 miliardë euro. Projekt buxheti parashikon rritje të pensioneve të pleqërisë për 20 për qind, ndërsa pensioni për pensionistët që kanë ndarë kontribute rritet për 15 për qind.

Projektligji për buxhetin u miratua falë votave të Partisë opozitare Social Demokratike, e cila votimin e kushtëzoi me ndërrimin e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo. Ky kusht u përmbush të shtunën në mëngjes para fillimit të seancës së Kuvendit, meqë kryeministri Ramush Haradinaj e shkarkoi ministrin Rikalo.

Rikalo, si dhe dy ministrat tjerë serbë nga radhët e Listës Serbe, ka qenë në dorëheqje që nga marsi i vitit të kaluar, pas arrestimit nga policia kosovare të Marko Gjuriqit, shefit të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın