Politikë

Kukan: Të gjitha partitë të njohin rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri

Roberto Battelli, duke lexuar deklaratën e përbashkët tha se garuesit elektoralë ishin në gjendje të bënin fushatë lirshëm dhe u zbatuan liritë themelore për tubimet

Fatjon Cuka   | 26.06.2017
Kukan: Të gjitha partitë të njohin rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri Fotoreporter: Olsi Shehu/AA

Tiranë

TIRANË (AA) - Përfaqësuesit e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë, që monitoruan zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, në një konferencë për mediat të mbajtur sot në Tiranë publikuan deklaratën paraprake rreth vlerësimeve të tyre për procesin zgjedhor, ku eurodeputeti Eduard Kukan theksoi se dëshirojnë që rezultati të njihet nga të gjitha partitë politike, raporton Anadolu Agency (AA).

Roberto Battelli, koordinator i posaçëm dhe udhëheqës i misionit të vëzhgueseve afatshkurtër të OSBE-së, duke lexuar deklaratën e përbashkët tha se garuesit elektoralë ishin në gjendje të bënin fushatë lirshëm dhe u zbatuan liritë themelore për tubimet.

Ai ka shtuar se "Unë mendoj që Shqipëria mund të bëjë më mirë dhe meriton më mirë. Zgjedhjet ishin të mira mjaftueshëm për stabilitetin." 

"Unë jam i kënaqur që dita e zgjedhjeve ishte më pak e nxehtë se koha. Numërimi vazhdon dhe vëzhguesit vazhdojnë punën. Në një numër të theksuar qendrash votimi pati edhe vonesa në procedura, si dhe parregullsi kyçe. Legjislacioni i ndryshuar kontribuoi në transparencën dhe llogaridhënien e financimit të fushatës duke adresuar disa rekomandime të mëparshme të OSBE/ODIHR-it dhe Këshillit të Evropës", theksoi Battelli.

Battelli vlerëson se KQZ veproi në menynë transparente me sesione publike, ku zbatoi detyrën e tij kyçe, ndërsa shton se media i ofroi një mbulim të gjerë fushatës elektorale. 

Ndërsa eurodeputeti Eduard Kukan theksoi se "Jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë garës. Shqipëria qëndron shumë lart në axhendën e Bashkimit Evropian. Jemi këtu për të mbështetur Shqipërinë dhe qytetarët e saj. Pavarësisht raportimeve për disa parregullsi dëshirojmë që rezultati të njihet nga të gjitha partitë politike. PE mbështet plotësisht kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE."

Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë, është një nismë e përbashkët e Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR), Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) dhe Parlamentit Evropian (PE). 

Misioni përbëhet nga 330 vëzhgues nga 43 vende, duke përfshirë 255 vëzhgues afatgjatë dhe afatshkurtër të vendosur nga OSBE/ODIHR-i, 36 parlamentarë dhe punonjës nga Asambleja e OSBE-së, 25 nga APKE dhe 11 nga PE-ja. 

Kujtojmë se dje në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare, ku morën pjesë 18 parti politike. Qytetarët me të drejtë vote kanë votuar për zgjedhjen e 140 deputetëve për legjislaturën e re të Kuvendit të Shqipërisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın