Politikë

Krasniqi: Sa më shpejtë të formohet qeveria pasi që shteti rrezikon të bllokohet

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi bëri thirrje që sa më shpejtë të formohet qeveria pasi që shteti rrezikon të bllokohet

Agim Sulaj   | 20.01.2020
Krasniqi: Sa më shpejtë të formohet qeveria pasi që shteti rrezikon të bllokohet ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Kryesia e Kuvendit të Kosovës sot ka mbajtur mbledhjen e parë në Legjislaturën e Shtatë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë mbledhje në rend dite ka qenë “Shqyrtimi i kërkesës për caktimin e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për përfaqësim në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP)” si dhe “Shqyrtimi i kërkesës për caktimin e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për përfaqësim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”.

Edhe pse këto delegacione, sipas nënkryetarit të Kuvendit, Memli Krasniqi, janë caktuar në këtë mbledhje, ai tha se një vendim i tillë do të jetë i përkohshëm, ndërsa do të rishikohen në momentin kur të bëhet një shumicë parlamentare.

“Vendimet që u morën u morën përkohësisht për të mos pamundësuar pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e Kosovës në Këshill të Evropës dhe në SEECP por ato do t’i nënshtrohen rishikimit potencial në momentin kur të ketë një shumicë parlamentare për çka fatkeqësisht sot nuk e kemi”, tha Krasniqi.

Nënkryetari Krasniqi ka bërë thirrje që sa më shpejtë të formohet qeveria pasi që shteti rrezikon të bllokohet. Ai ka deklaruar se “kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti duhet ta dijë si mandatar se jeta institucionale nuk është video-lojë dhe lojërat me video nuk i kryejnë punët të cilat i presin qytetarët e Kosovës”.

“Barra e përgjegjësisë për këtë mungesë të institucioneve dhe qeverisë dhe për sfidat të cilat po na presin i takojnë pikërisht Albin Kurtit si mandatar dhe Vetëvendosjes si partia me numrin më të madh të deputetëve në Kuvend. Ne presim që ata, obligimet që i kanë t’i kryejnë sa më herët që të jetë e mundur sepse ne shumë shpejt do të hymë në muajin shkurt dhe ju e dini që kur të mbërrimë në muajin mars, do të kemi një bllokadë totale të funksionimit institucional në mungesë të miratimit të buxhetit të ri”, tha Krasniqi.

Duke folur për Partinë Demokratike të Kosovës, Krasniqi tha se “Pozicioni i PDK-së është i qartë, ne do të qëndrojmë në opozitë dhe kjo nuk ndryshon”.

Për dallim prej tij, shefi i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe zëvendësi i tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Kujtim Shala, nuk janë deklaruar për media.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.