Politikë

KQZ: Të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë, asnjë problem deri më tani

"Në këto orë të para sipas njoftimeve që kemi nga terreni procesi zgjedhor ka filluar pa ndonjë problem", tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi

Agim Sulaj   | 06.10.2019
KQZ: Të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë, asnjë problem deri më tani ( Umeys Sulejman - Anadolu Agency )

Prishtinë

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) në Kosovë ka njoftuar se të gjitha vendvotimet janë hapur në kohë, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se materiali i nevojshëm zgjedhor është shpërndarë mbrëmë, ndërsa tha se në orën e parë të procesit zgjedhor nuk ka pasur ndonjë problem.

“Në orët e hershme të mëngjesit është shpërndarë materiali i ndjeshëm zgjedhor për në vendvotime dhe njëkohësisht bëjmë të ditur se të gjitha vendvotimet janë hapur në orën e paraparë, me përjashtim të disa vendvotimeve, raste të vogla që janë vonuar për pak minuta. Në këto orë të para sipas njoftimeve që kemi nga terreni procesi zgjedhor ka filluar pa ndonjë problem”, tha Elezi.

Sipas tij, rastet ku janë vonuar hapjet e vendvotimeve janë të papërfillshme edhe pse nuk dihet ende saktë nga KQZ se në cilat vende kanë ndodhur. Elezi në fund ka ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës të dalin në zgjedhje për të shfrytëzuar të drejtën e tyre demokratike.

Procesin zgjedhor në mbarë territorin e Kosovës do ta vëzhgojnë rreth 50 mijë vëzhgues dhe komisionarë të angazhuar, ndër të cilët do të ketë edhe vëzhgues nga Bashkimi Evropian (BE).

Në territorin e Kosovës sot mbahen zgjedhjet e shtata parlamentare të parakohshme, pas dorëheqjes së kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj.

Këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku do të garojnë gjithsej pesë kandidatë për pozitën e kryeministrit, do të vendosin për 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, prej të cilëve 100 do t’i përfaqësojnë subjektet politike, 10 do të ruhen për përfaqësuesit e komunitetit serb dhe 10 do të ruhen për përfaqësuesit e komuniteteve të tjera.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın