Politikë

"KQZ e gatshme për zgjedhjet në Kosovë kurdo që të shpallen"

"Ne jemi te gatshëm dhe kurdo që zgjedhjet shpallen, ne do t’i organizojmë", tha kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka

Agim Sulaj   | 08.08.2019
"KQZ e gatshme për zgjedhjet në Kosovë kurdo që të shpallen"

Prishtinë

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) si dhe anëtarët tjerë të këtij komisioni, janë shprehur të gatshëm të organizojnë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kurdo që vendoset për mbajtjen e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Këtë zotim e ka dhënë kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka. "Ne jemi te gatshëm dhe kurdo që zgjedhjet shpallen ne do t’i organizojmë", tha Daka.

Në këtë mbledhje, KQZ mori vendimin me votën e shumicës së anëtarëve të saj të miratojë kërkesën e tri partive të reja politike për regjistrim në këtë institucion.

Partitë që do të shtohen në listën e garës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë: Partia Balliste (PB); Partia Demokratike e Diasporës (PDD); dhe Partia Euroatlantike e Kosovës (PEK) e udhëhequr nga deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka.

KQZ diskutoi edhe për shkeljet e zgjedhjeve parlamentare të mbajtur në vitin 2017.

Anëtari i KQZ-së Florian Dushi, i rekomandoi KQZ-së që "të aprovojë kërkesën për të njoftuar prokurorinë e shtetit për shkeljet, manipulimet apo abuzimit që janë konstatuar në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR), në 2017".

Në fillim të kësaj jave, kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi për datën 22 gusht që ta shpërndajë Kuvendin, ndërsa pas kësaj i mbetet Presidentit të Kosovës që të vendos për datën e zgjedhjeve në deri 45 ditë më së largu nga data e shpërndarjes së Kuvendit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın