Politikë

Kosovë, jehona e daljes në zgjedhjet parlamentare 44,18 për qind

Dalja më e madhe në zgjedhje është regjistruar në komunën Zubin Potok, ku 57,34 për qind e qytetarëve shfrytëzuan të drejtën e votës, pasuar nga Prishtina me 55,50 për qind

Besar Ademi   | 06.10.2019
Kosovë, jehona e daljes në zgjedhjet parlamentare 44,18 për qind ( Umeys Sulejman - Anadolu Agency )

Prishtinë

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) të Kosovës, nga 94,94 për qind e vendvotimeve të përpunuara, jehona e daljes në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën sot në vend është 44,18 për qind apo 812.049 votues nga gjithsej 1.937.868 të regjistruar shfrytëzuan të drejtën e tyre të votës, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetarja e KQZ-së, Valdeta Daka, në konferencën për media menjëherë pas mbylljes së votimit, theksoi se të dhënat për pjesën tjetër të vendvotimeve janë duke u procesuar, ndërkohë që edhe numërimi i fletëvotimeve ka filluar.

“Inkurajoj anëtarët e këshillave të vendvotimeve që gjatë procesit të numërimit të fletëvotimeve t’i zbatojnë të gjitha procedurat e numërimit, me qëllim që vullneti i qytetarëve të respektohet”, tha Daka, duke falënderuar më tej institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare për angazhimin e tyre për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Daka theksoi se nga ora 19:00 ka filluar edhe afati 24-orësh për paraqitjen e ankesave dhe parashtresa lidhur me procesin e votimit të sotëm.

Daka po ashtu bëri të ditur se deri në të njëjtën kohë, dalja në votim në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 në vend ishte 789.549 votues apo 41,45 për qind e votuesve të regjistruar.

Sipas të dhënave të KQZ-së, dalja më e madhe në zgjedhje është regjistruar në komunën Zubin Potok, ku 57,34 për qind e qytetarëve shfrytëzuan të drejtën e votës, pasuar nga Prishtina me 55,50 për qind, ndërsa dalja më e ulët është regjistruar në komunën Dragash me një dalje prej 32,75 për qind.

Të dhënat preliminare të zgjedhjeve të sotme pritet të shpalosen sonte më vonë.

Ndërkohë, sipas të dhënave të fundit nga autoritetet përkatëse, gjatë procesit zgjedhor janë raportuar disa raste të ndryshme, por pas verifikimit të informatave nga prokurorët në terren janë vërtetuar 16 raste me 20 persona të ndaluar të cilët lidhen me procesin zgjdhor.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, Laura Pula, njoftoi se ata janë ndaluar për kryerjen e veprave penale, të tilla si “cenim i fshehtësisë së votimit”, “keqpërdorim i së drejtës së votimit”, “asgjësim i dokumenteve të votimit”, “parandalim i së drejtës të votimit” dhe “pengim i procesit të votimit”.

Këto janë zgjedhjet e katërta të parakohshme parlamentare, nga gjithsej shtatë të mbajtura në vend, të cilat u shpallën pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj si arsye e ftesës ndaj tij nga Gjykata Speciale në Hagë.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), në këtë garë zgjedhore u pëfshinë 25 subjekte politike, nga to 20 parti politike, katër koalicione dhe një kandidat i pavarur.

Këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku garuan gjithsej pesë kandidatë për postin e kryeministrit, do të vendosin për 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, prej të cilëve 100 do t’i përfaqësojnë subjektet politike, dhjetë do të ruhen për përfaqësuesit e komunitetit serb dhe dhjetë për përfaqësuesit e komuniteteve të tjera.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.