Oliver Towfigh Nia
24 korrik 2026•Përditësim: 24 korrik 2026
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka njoftuar një riformatim të kabinetit qeveritar, duke emëruar sekretarin e përgjithshëm të Unionit Kristian Demokrat (CDU), Carsten Linnemann, ministër të Shëndetësisë dhe duke sinjalizuar se do të pasojnë edhe ndryshime të tjera në personel, transmeton Anadolu.
Linnemann do të zëvendësojë Nina Warken, e cila do të marrë detyrën e ministres për Çështje të Posaçme dhe shefe e Kancelarisë.
Duke folur në kopshtin e Kancelarisë, Merz tha se ndryshime të tjera në kabinet do të shpallen pas pushimeve verore.
“Do të ketë ndryshime të tjera në kabinetin federal. Do t’ju informoj për to në kohën e duhur”, tha lideri i CDU-së.
Merz tha se vendimet e mbetura do të kërkojnë “edhe disa ditë të tjera, ndoshta edhe më gjatë, jo më pak për shkak të pushimeve verore”.
Ai theksoi se këto vendime do t’i marrë “pa presion kohor, me kujdesin e duhur dhe përmes diskutimeve të nevojshme”.
Mediat gjermane raportuan se pritet të zëvendësohet edhe ministri i Transportit, Patrick Schnieder.
Agjencia Gjermane e Lajmeve (dpa), duke cituar disa burime të larta të CDU-së, raportoi se Merz synon ta zëvendësojë Schniederin, por kandidati i tij i preferuar, deputeti i CDU-së Fritz Guntzler, u tërhoq në momentin e fundit.
Merz nuk sqaroi nëse deklarata e tij për ndryshime të tjera në personel përfshin edhe Schniederin, ndërsa as kancelari dhe as zyra e tij nuk komentuan raportimet.
Pas njoftimit të emërimeve, Merz nuk pranoi pyetje nga gazetarët. Sipas dpa-së, si Schnieder ashtu edhe Guntzler nuk ishin menjëherë të disponueshëm për koment.
Sipas agjencisë, ndryshime të tjera mund të bëhen edhe brenda Kancelarisë, përfshirë zëvendësimin e mundshëm të ministres së Shtetit për Sportin, Christiane Schenderlein.