Politikë, archive

Gjetjet e sondazhit të perceptimit publik në Shqipëri mbi institucionet publike

Institucionet më të besuara si organizata ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri për opinionin publik shqiptar janë NATO 71% dhe Bashkimi Evropian 68%, ndërsa ato më pak të besuara janë partitë politike 19% dhe Gjyqësori 18%.

10.12.2014
Gjetjet e sondazhit të perceptimit publik në Shqipëri mbi institucionet publike

TIRANË (AA) – Sot në Tiranë u zhvillua konferenca në kuadër të aktiviteteve të kushtuara nismës së "Partneriteti për Qeverisje të Hapur", ku u analizuan dhe publikuan rezultatet e sondazhit të opinioneve të publikut për besimin tek qeveria dhe institucionet publike për vitin 2014, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë konferencë morën pjesë Gjergji Vurmo, Drejtor i Programit në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Gerti Shella, Drejtor i Qendrës për Çështje të Informimit Publik,  Aranita Brahaj, Drejtoreshë e Open Data Albania dhe Erisa Lame, koordinatore lokale e Programit Rajonal për Promovimin e Kërkimit në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim.

Në këtë konferencë u analizuan rezultatet e sondazhit të opinioneve të publikut për vitin 2014 që synon të shqyrtojë qëndrimet e qytetarëve ndaj performancës të institucioneve publike dhe ofrimin e shërbimeve, ku gjithashtu u bë edhe një krahasim me vitin 2013. Sondazhi sipas organizatorëve ka një shkallë besueshmërie me 95% ku dhe toleranca e gabimit është 3%.

Në bazë të këtij sondazhi, institucionet më të besuara si organizata ndërkombëtare që veprojnë në Shqipëri, në opinionin publik shqiptar janë NATO (71%) dhe Bashkimi Evropian me 68%. Ndër institucionet e administratës publike shtetërore më të besuara janë Forcat e Armatosura me (44%), policia e shtetit 41%, Ekzekutivi 37% dhe institucionet e sistemit Arsimor 37%. Institucionet më pak të besuara janë Gjyqësori 18% dhe partitë politike 19%. Organizatat e shoqërisë civile kanë besimin e 34% të popullsisë, ndërkohë që 9% e të intervistuarve nuk kanë një perceptim të qartë mbi këtë çështje.

Nëse krahasojmë të dhënat me periudhën maj 2013, vëmë re se në top-listën e institucioneve më të besuara qëndrojnë NATO (2013: 74%) dhe BE (2013: 70%), edhe pse me një ulje 3 dhe 2 pikë respektivisht. Në krahasim me të dhënat e vitit 2013 vihet re se institucionet që shënojnë rritje në besimin e qytetarëve janë : Ekzekutivi (nga 30%- 37%), Policia e Shtetit (nga 37% - 41%) dhe Parlamenti (nga 24% - 29%). Organizatat e shoqërisë çivie shënojnë një ulje të besimit nga qytetarët (nga 39% - 34%) dhe Forcat e Armatosura me një ulje të besimit prej 7% (nga 2013 : 51% - 2014 : 44%).

-Transparenca dhe pjesëmarrja qytetare

Politikat e qeverisjes së hapur kërkojnë nga qeveritë një qasje pro-aktive ndaj transparencës së informacionit dhe pjesëmarrjes së qytetarëve, çka sjell edhe rritjen e besimit të qytetarëve ndaj qeverisë. Rezultatet e Sondazhit (Tetor 2014) tregojnë se opinioni publik shqiptar pret nga qeveria të jete transparente, e hapur ndaj qytetarëve dhe të zbatojë politikat e anti-korrupsionit.

Ndër gjetjet kryesore mund të përmendim:

76% e opinionit publik kërkon:“Të gjitha informacionet financiare dhe teknike të kontratave të punës publike që financohen dhe të ardhurat personale”.

75% e opinionit publik kërkon: “Deputetët dhe të zgjedhurit vendorë duhet të bëjnë transparente pasuritë dhe të ardhurat personale”.

63% e opinionit publik beson se “Dëgjesa dhe këshillimet me publikun janë procese formale dhe nuk kanë ndikim në vendimet që merr njësia e qeverisjes vendore” edhe pse 59% e opinionit publik beson se qytetarët kanë informacionin dhe aftësitë e nevojshme për të gjykuar nëse një politikë e propozuar ndikon pozitivisht apo negativisht në jetën e tyre.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın