İlayda Çakırtekin
30 korrik 2026•Përditësim: 30 korrik 2026
Belgjika shprehu sot shqetësim për përshkallëzimin e dhunës së kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor dhe dënoi hyrjen e paautorizuar të forcave dhe zyrtarëve izraelitë në Qendrën e Trajnimit Kalandia të UNRWA-së në Kudsin Lindor, transmeton Anadolu.
"Belgjika është thellësisht e shqetësuar nga dhuna e vazhdueshme e kryer nga kolonët izraelitë, e ushtruar në një atmosferë pandëshkueshmërie dhe e nxitur nga politikat dhe retorika e disa aktorëve politikë", tha Ministria e Jashtme në një deklaratë me shkrim.
Ajo paralajmëroi se situata aktuale po kontribuon në një "përshkallëzim të rrezikshëm" në Bregun Perëndimor, duke kërcënuar stabilitetin dhe paqen. "Belgjika dënon hyrjen e paautorizuar të forcave dhe zyrtarëve izraelitë në Qendrën e Trajnimit Kalandia të UNRWA-së në Kudsin Lindor. Ne përsërisim nevojën që të gjitha palët të respektojnë të drejtën ndërkombëtare", shtoi ministria.
Prej javësh, Bregu Perëndimor po përballet me një përshkallëzim të sulmeve të kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve dhe pronave të tyre, mes akuzave nga palestinezët dhe organizatat izraelite e ndërkombëtare për të drejtat e njeriut se ushtria izraelite i mbron kolonët dhe ndonjëherë merr pjesë edhe në sulme.
Që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza në tetor të vitit 2023, sulmet e ushtrisë izraelite dhe kolonëve janë intensifikuar në gjithë Bregun Perëndimor, duke vrarë më shumë se 1.182 palestinezë, duke plagosur rreth 13 mijë të tjerë dhe duke çuar në arrestimin e afro 24 mijë personave, sipas të dhënave zyrtare palestineze.