Politikë

Altun në Konferencën e ngjarjeve të vitit 1915: Përballemi me përpjekje që duan të shtrembërojnë historinë

Altun tha se "Si Republikë e Turqisë, ndiejmë thellë, me gjithë zemër dhimbjet që janë përjetuar gjatë zbatimit të Ligjit të Zhvendosjes të miratuar në vitin 1915 nga Perandoria Osmane"

Mehmet Tosun   | 20.04.2021
Altun në Konferencën e ngjarjeve të vitit 1915: Përballemi me përpjekje që duan të shtrembërojnë historinë

Ankara

Kreu i Komunikimeve të Presidencës së Turqisë, Fahrettin Altun tha se "Si Republikë e Turqisë, ndiejmë thellë, me gjithë zemër dhimbjet që janë përjetuar gjatë zbatimit të Ligjit të Zhvendosjes të miratuar në vitin 1915 nga Perandoria Osmane", raporton Anadolu Agency (AA).

Altun mori pjesë në "Konferencën Ndërkombëtare Ngjarjet e vitit 1915", organizuar nga Kryesia e Komunikimeve të Presidencës së Turqisë, për të trajtuar sfondin historik, dimensionin ligjor dhe pasqyrimet në ditët e sotme të ngjarjeve të vitit 1915.

Ai në konferencën e organizuar online tha se idetë që do të paraqiten në konferencë do të kontribuojë në zbulimin e fakteve.

Sipas tij, shekulli i kaluar ishte "një periudhë e veçantë që ishte skenë e pikës së kthimit të momenteve të rëndësishme të historisë", ndërsa luftërat botërore, perandoritë e shkatërruara, kufijtë e ndryshuar dhe demokracia në zhvillim janë gurë kilometrik të shekullit 20.

Altun, në këtë drejtim potencoi se në fund të Luftës së Parë Botërore janë shpërbërë tri perandori të mëdha, ajo Osmane, Austro-Hungareze dhe e Rusisë Cariste.

"E kaluara e përbashkët shtrembërohet"

Kreu i Komunikimeve të Presidencës së Turqisë, më tej tha se populli turk është ndikuar seriozisht nga kjo luftë e cila ka shkaktuar vdekjen e milionave. "Populli osman si një i tërë, në periudhën e fundit të perandorisë luftoi kundër vështirësive të jashtëzakonshme. Luftuam në Çanakkala, Kaukaz, Hixhaz, Palestinë dhe Irak", u shpreh ai duke shtuar se bandat armene duke bashkëpunuar me armikun, derisa ata kanë luftuar me ushtritë ruse që kanë sulmuar tokat osmane, i kanë goditur forcat turke nga prapa.

"Si pasojë e përleshjeve që kanë ndodhur në Anadollin Lindor, dhjetëra mijëra turq dhe armenë humbën jetën. Pas këtyre ngjarjeve, disa shtetas osmanë me origjinë armene në vilajetet lindore, që kishin sjellje vështirësuese ndaj manovrave të ushtrisë, sulmonin popullin dhe u ndihmonin bandave që bashkëpunonin me ushtrinë armike, iu nënshtruan zhvendosjes së vitit 1915, në tokat siriane që ishin brenda kufijve të Perandorisë Osmane", theksoi më tej Altun.

Ai rikujtoi se në kushte të luftës, për mbrojtjen e civilëve dhe të atdheut, armenët që kanë jetuar në disa rajone janë zhvendosur. "Përderisa kjo masë sigurie po zbatohej, për fat të keq, në kushtet e luftës që po vazhdonte me gjithë ashpërsinë, ndodhën edhe ngjarje të padëshirueshme, kishte viktima edhe nga turqit edhe nga armenët, u përjetuan dhimbje. Këto ndodhi përbëjnë themelin e diskutimeve, madje edhe shpifjeve që kanë ardhur deri më sot", tha ai.

"Si Republikë e Turqisë, ndiejmë thellë, me gjithë zemër dhimbjet që janë përjetuar gjatë zbatimit të Ligjit të Zhvendosjes të miratuar në vitin 1915 nga Perandoria Osmane", u shpreh Altun.

Altun potencoi se sot janë duke u përballur me një rrëfim që përpiqet të nxjerrë armiqësi nga historia, duke e shtrembëruar të kaluarën e përbashkët të popujve turq dhe armenë që me shekuj kanë jetuar në paqe së bashku.

Sipas tij, ka një "Këmbëngulje dhe inat për të adresuar ngjarjet e vitit 1915 si një çështje plotësisht politike dhe ideologjike", ndërsa disa duke e vendosur ngjarjen në baza politike dhe ideologjike, mundohen që ta bëjnë të dobishëm për qëllime perandorake.

"Është e qartë se qasjet aktuale politike që gjithnjë janë në ndryshim, nuk do të jenë në gjendje t'i shohin shëndetshëm çështjet historike 100-vjeçare. Kur politizohen, është e pashmangshme që çështjet e tilla historike të përdoren në diskutimet e përditshme boshe", tha Altun duke theksuar se vendimet që i marrin parlamentet e ndryshme në lidhje me çështjet e diskutueshme historike, nuk i bën ata demokratë, por imponues dhe tiran.

"Kjo është një thirrje për të vërtetën"

Ai mes tjerash rikujtoi thirrjen e presidentit Erdoğan rreth ngjarjeve të vitit 1915 për "shpalosjen e arkivave dhe qasjes shkencore". "Kjo është një thirrje për të vërtetën. Prandaj, thirrja jonë për të drejtën, është një tregues i sinqeritetit tonë në lidhje me këtë", deklaroi Altun.

Altun rikujtoi edhe mesazhin e vitit të kaluar të presidentit Erdoğan ndaj Patrikut të Armenëve të Turqisë, Mashalyan, "Ne të gjithë i njohim qarqet që përpiqen të krijojnë armiqësi nga historia duke injoruar unitetin tonë të lindur nga zemra e Anadollit. Përderisa ne duam dhe punojmë për një të ardhme me unitet, prosperitet dhe paqe, dëshira jonë më e rëndësishme është që të mos u jepet mundësi qarqeve me qëllime të ndryshme".

Kreu i Komunikimeve të Presidencës së Turqisë pohoi se pretendimi për gjenocid armen është paraardhësi i fenomenit që sot njihet si "post-truth" (post-të vërtetës). "Kjo është një shpifje që ushqehet vetëm nga llogaritë politike që nuk ka asnjë lidhje me të vërtetat. Është një akuzë emocionale, irracionale dhe e paligjshme", tha Altun.

"Nuk ka asnjë reputacion në sytë tanë se cili parlament çfarë vendimi ka marrë, cili president i huaj çfarë fjalie ka thënë. Gjëja kryesore për ne është që të zëmë një vend në mënyrë të drejtë në zemrat e fëmijëve të kësaj toke nga e kaluara deri më sot. Prandaj, nuk do të lodhemi asnjë moment së vrapuari pas të drejtës", deklaroi ai.

Në konferencë përveç Altun, marrin pjesë edhe kryetari i Institutit të Historisë së Turqisë, Birol Çetin, ndërsa Prof. Dr. Yusuf Sarınay kryeson sesionin e parë, ku do të mbajnë fjalime edhe Prof. Dr. Seyit Sertçelik, Prof. Dr. Mesut Uyar, Prof. Dr. Oleg Kuznetsov dhe Dr. Maxime Gauin.

Në konferencë do të mbahen edhe dy sesione.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın