Aysu Biçer
24 korrik 2026•Përditësim: 24 korrik 2026
Pesë oficerë policie po marrin trajtim mjekësor pasi një varkë e Policisë Metropolitane të Londrës u përplas pasdite me Urën Westminster, transmeton Anadolu.
Policia tha se incidenti ndodhi rreth orës 15:45 me kohën lokale kur një mjet lundrues i Njësisë së Policisë Detare të Policisë Metropolitane u përplas pranë urës në qendër të Londrës.
Një pjesë e zonës përballë Pallatit të Westminsterit, ku ndodhet parlamenti britanik, u rrethua me shirita sigurie, ndërsa shërbimet e emergjencës ndërhynë në vendngjarje.
“Rreth orës 15:45 të së premtes, më 24 korrik, një varkë e Njësisë së Policisë Detare të Policisë Metropolitane u përplas me Urën Westminster. Një numër oficerësh ranë në ujë, por u nxorën me sukses”, tha Policia Metropolitane.
“Ne jemi njoftuar se pesë oficerë janë plagosur dhe po marrin trajtim mjekësor. Presim një përditësim mbi shkallën e lëndimeve të tyre. Në këtë fazë, nuk besojmë se ndonjë anëtar i publikut është përfshirë ose është lënduar”, shtoi policia.
Nga atje theksuan se rrethanat e incidentit do të shqyrtohen tërësisht, por në këtë fazë “përparësia jonë është mirëqenia e oficerëve të përfshirë”.
Disa autoambulanca, ekipe zjarrfikësish dhe automjete policie u panë përgjatë bregut të lumit, ndërsa dy helikopter, përfshirë një i urgjencës mjekësore, fluturonin mbi zonë.
Trafiku në zonë u bllokua plotësisht ndërsa operacioni i emergjencës vazhdonte.