Politikë

“Mirëpres kthimin e vëmendjes së Gjermanisë dhe Francës për Ballkanin Perëndimor”

Thaçi, ka takuar të mërkurën ambasadorët dhe shefat e zyrave dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, ndërsa u shpreh se e ka mirëpritur kthimin e vëmendjes së Gjermanisë dhe Francës në çështjet e Ballkanit Perëndimor

Agim Sulaj   | 15.05.2019
“Mirëpres kthimin e vëmendjes së Gjermanisë dhe Francës për Ballkanin Perëndimor”

Prishtinë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar të mërkurën ambasadorët dhe shefat e zyrave dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, për të ndarë me ta opinionet nga takimi i Berlinit dhe pritjet për takimin që do të mbahet në Paris, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton komunikata nga Zyra e Presidentit të Kosovës, Thaçi u shpreh se e ka mirëpritur kthimin e vëmendjes së Gjermanisë dhe Francës në çështjet e Ballkanit Perëndimor, në veçanti në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Vlerësoj lart vullnetin e mirë të kancelares Merkel dhe këmbëngulësinë e presidentit Macron që çështjet e Ballkanit Perëndimor të lëvizin përpara”, u shpreh presidenti Thaçi.

Duke folur për takimin e Berlinit, ai theksoi se “takimi i Berlinit as nuk mbylli dhe as nuk hapi ndonjë ide apo koncept për mundësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi”.

Sipas njoftimit, Thaçi mirëpriti edhe kërkesën që të vazhdojë dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë në kërkim të një marrëveshjeje paqësore deri në njohjen reciproke Kosovë-Serbi. 

“Marrëveshje me të cilën ruhet substanca dhe karakteri shumetnik i vendit dhe shoqërisë, si dhe që hap rrugë integrimit në NATO dhe në BE”, u shpreh preh presidenti Thaçi.

Po ashtu, presidenti i Kosovës theksoi rëndësinë që shtetet anëtare të Bashkimit Europian, shtetet perëndimore në përgjithësi, të jenë më unike dhe më të qarta në këtë proces, sipas tij, në veçanti 5 shtetet e Kuintit, SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia.

“Përvoja e së kaluarës së afërt tregon se kur ka funksionuar ky unitet edhe skena politike në Kosovë ka qenë unike dhe e gatshme për të lëvizur përpara”, u shpreh presidenti Thaçi.

Para ambasadorëve dhe shefave të misioneve, presidenti Thaçi pohoi se ishte i befasuar për të keq kur ka mësuar që për takimin e Berlinit nuk kishte koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Si të arritura të takimit të Berlinit, presidenti Thaçi e vlerësoi të suksesshëm dakordimin e Kosovës dhe Serbisë që, pas insistimit të presidentit Macron, të mbahet takimi i ardhshëm në Paris, më 1 korrik.

“Shpresoj se takimi në Paris do të jetë më mirë i përgatitur, se vendet anëtare të BE-së do të jenë më unike, do të prezantojnë ide kreative si të lëvizet përpara dhe takimi do të ketë substancë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi, sipas njoftimit, në fund të takimit theksoi se zhgënjim në takimin e Berlinit ka qenë edhe mosuniteti i vendeve të BE-së rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın