Politikë

“Kthimi i marinarëve ukrainas nuk ishte i mundur pa Turqinë”

"Mund të them me siguri se pa mbështetjen e kolegëve dhe partnerëve tanë turq, suksesi përfundimtar i operacionit nuk do të ishte i mundur", tha ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba

Büşra Nur Bilgiç Çakmak   | 14.01.2021
“Kthimi i marinarëve ukrainas nuk ishte i mundur pa Turqinë”

Ankara

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, bëri të ditur se evakuimi i fundit i katër marinarëve ukrainas nga Libia "nuk do të ishte i mundur" pa mbështetjen e Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Mund të them me siguri se pa mbështetjen e kolegëve dhe partnerëve tanë turq, suksesi përfundimtar i operacionit nuk do të ishte i mundur", tha Kuleba në një konferencë për media përmes video-lidhjes.

Marinarët Yevhen Morar, Volodymyr Tostohan, Oleh Voynerovsky dhe Pavlo Chaika ishin anëtarë të ekuipazhit të një tankeri të ndaluar në Libi në shkurt të vitit 2016.

Të dënuar me pesë vjet burg në dhjetor të vitit 2017, ata u lanë të lirë këtë fillim muaji dhe arritën në Ukrainë më 8 janar.

Kuleba tha se sigurimi i kthimit të tyre të sigurt ishte një nga operacionet e tij më sfiduese si ministër i Jashtëm. "Ishte një operacion jashtëzakonisht kompleks, dhe nganjëherë hutues, që përfshinte shumë aktorë të ndryshëm", u tha ai gazetarëve.

Ai falënderoi autoritetet libiane për bashkëpunimin dhe lavdëroi kontributet e ekipit të tij dhe agjencive të tjera qeveritare ukrainase.

“Dhe, sigurisht, ne e vlerësojmë mbështetjen e miqve tanë ndërkombëtarë. Edhe fakti që evakuimi i katër marinarëve tanë nga Libia në Ukrainë u krye përmes territorit të Turqisë flet vetvetiu”, tha Kuleba.

Javën e kaluar, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky gjithashtu falënderoi presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan për ndihmën e tij në kthimin e marinarëve.

Erdoğan, në përgjigjen e tij, tha se Turqia ishte "e kënaqur" kur pa se marinarët ukrainas "u kthyen në shtëpi të sigurt dhe shëndoshë".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın