Turqia, Operacioni Burimi i Paqes

Erdoğan: Nëse premtimet nuk përmbushen, vazhdojmë operacionin

"Në rast se premtimet që SHBA i ka dhënë për vendin tonë nuk mbahen, këtë herë operacionin tonë do ta vazhdojmë me një vendosmëri më të madhe"

Sefa Şahin  | 22.10.2019 - Përdıtësım : 23.10.2019
Erdoğan: Nëse premtimet nuk përmbushen, vazhdojmë operacionin ( Murat Kula - Anadolu Agency )

Ankara

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan tha se në rast se premtimet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i ka dhënë për vendin e tij nuk mbahen, këtë herë operacionin "Burimi i Paqes" do ta vazhdojnë me një vendosmëri më të madhe, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan, këto vlerësime i bëri nga aeroporti Esenboğa në Ankara, para nisjes së tij në Soçi të Rusisë, ku pritet të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin.

"Në rast se premtimet që SHBA i ka dhënë për vendin tonë nuk mbahen, këtë herë operacionin tonë do ta vazhdojmë me një vendosmëri më të madhe", tha Erdoğan duke njoftuar se nga terroristët deri më tani është pastruar një sipërfaqe prej 2.200 kilometra katrorë si dhe janë marrë nën kontroll 160 vendbanime.

"Që nga 9 tetori e deri më tani janë neutralizuar 775 terroristë. 7 ushtarë tanë, 79 vëllezër pjesëtarë të Ushtrisë Kombëtare Siriane dhe 20 qytetarë civilë kanë rënë dëshmorë në sulmet e organizatës terroriste", u shpreh ai.

Presidenti turk gjatë vizitës së tij në Rusi potencoi se do të trajtohen hapat për ndërprerjen e pranisë së PKK/PYD/YPG-së në zonat ku gjenden elementet e regjimit. "Turqia dhe Rusia janë dakord për luftë kundër çdo lloj terrori", tha Erdoğan.

"Në të ardhmen e Sirisë nuk ka vend për PKK/YPG. Shpresojmë të shpëtojmë rajonin tonë nga terroristët separatistë në bashkëpunim me Rusinë", shtoi presidenti turk.

Erdoğan duke folur për procesin e tërheqjes së terroristëve të PKK/YPG nga veriu i Sirisë tha se: "Deri tani janë tërhequr 700-800 terroristë ndërsa në proces janë 1200-1300 të tjerë. Thuhet se edhe ata do të dalin. Jemi duke i ndjekur".

Presidenti turk foli edhe në lidhje me takimin që planifikohet ta zhvillojë me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe kryeministrin britanik Boris Johnson. "Në bisedë tonë me Johnson thamë se 'një mbledhje e tillë mund të zhvillohet para ose pas Samitit të NATO-s", tregoi Erdoğan.

Më 9 tetor, Turqia nisi operacionin "Burimi i Paqes" në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurtë të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.

Ankaraja synon ta pastrojë rajonin në lindje të lumit Eufrat nga terroristët e PKK-së dhe dega e saj siriane, PYD/YPG.

Ndërkaq, më 17 tetor, Turqia dhe SHBA arritën një marrëveshje për të pauzuar operacionin antiterrorist në veri të Sirisë.

Turqia ra dakord të pauzojë operacionin e saj "Burimi i Paqes" për 120 orë në mënyrë që të lejojë tërheqjen e terroristëve të YPG/PKK-së nga zona e planifikuar e sigurtë.

Në bisedimet e së enjtes së kaluar, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe nënpresidenti amerikan Mike Pence gjithashtu ranë dakord që Turqia të ketë një zonë prej rreth 30 kilometrash në kufirin sirian.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra dhe fëmijë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın