Kulturë

Shkup, fillon manifestimi kulturor "Tingujt e Çarshisë"

Manifestimi tradicional synon të ringjallë Çarshinë përmes koncerteve të të gjitha zhanreve, performancave, shfaqjeve folklorike, poezisë, kolonisë së artit dhe prezantimit të zanateve të vjetra

Husamedin Gina  | 13.09.2020 - Përdıtësım : 14.09.2020
Shkup, fillon manifestimi kulturor "Tingujt e Çarshisë" Foto: Husamedin Gina / AA

Shkup

Në Kurshumli an të Çarshisë së Shkupit sonte filloi edicioni i 14-të i manifestimit kulturor "Tingujt e Çarshisë", raporton Anadolu Agency (AA).

Në hapjen e manifestimit koncert mbajtën grupet "Coda Band" nga Shkupi, "Shpend Latifi & Band" dhe këngëtarja Tuna.

Manifestimi tradicional synon të ringjallë Çarshinë përmes koncerteve të të gjitha zhanreve, performancave, shfaqjeve folklorike, poezisë, kolonisë së artit dhe prezantimit të zanateve të vjetra.

Manifestimi gjithashtu kontribuon në aktivitetet e vazhdueshme të Qytetit të Shkupit dhe Qendrës Kulturore Informative (QKI) - Shkup për ringjalljen e Çarshisë së Vjetër të Shkupit.

Këtë vit do të ketë koloni arti, shfaqje teatrore, filma, komedi stand-up, letërsi, koncerte të zhanreve të ndryshëm të muzikës: folk, xhaz, rock, opera, argëtim.

Të martën, në orën 16:00, manifestimi vazhdon me ngjarjen "Rrugët e Çarshisë" në të cilën Sarana Ademi do të luajë në flautë dhe Verica Shotarovska në piano. Në orën 17:00 para Xhamisë së Murat Pashës pritet të performojë Adil Alush dhe "Jeni Jol orkestar". Në orën 19:00 në sheshin "Skenderbeu" do të mbahet shfaqja teatrale "Nuk paguaj" ndërsa në orën 20:00 në sheshin "Filipi i Dytë" do të mbahet koncerti me titull "Tinguj vjeshte, ngjyra e tingullit".

Në orën 22:30 në Kalanë e Shkupit do të shfaqen dy filma me metrazh të shkurtër: "Vendi" me regji të Ibër Dearit dhe "Ballkon" nga Lindita Zeqiraj.

Në ditën e tretë të festivalit më 16 shtator nga orën 16:00 para xhamisë Murat Pasha do të interpretohet muzikë me çallgi ndërsa nga ora 17:00 në Kalanë e Shkupit do të mbahet kolonia e artit. Në lokacionin e njëjtë nga ora 17:30 do të interpretojë kuarteti i harqeve "Strip4m". Në orën 18:00 interpreton kuarteti "Viv art" ndërsa në orën 21:30 stend-ap komedi do të ketë Artan Ibishi.

Dita e fundit e manifestimit - 17 shtator është e rezervuar për shfaqjen e kuartetit me tela "Viva Strings" (ora 16:00), shfaqja teatrore "Miqësia në kohën e masave" (ora 18:00 në sheshin "Skenderbeu") dhe shfaqja "Një përrallë e Mozartit" nga Shoqata "Bota e Fëmijëve" (ora 18:30). Në orën 20:00 në Suli an do të interpretojnë tre tenorët: Ismet Vejseli, Mustafa Imeri dhe Vllatko Gruevski. I ftuari i koncertit është tenori Shinasi Ramadan, i shoqëruar nga Andrej Naunov në piano.

Në vitet e fundit, shumë këngëtarë të famshëm, artistë, valltarë, animatorë, grupe të famshme, maqedonas, shqiptarë, turq, romë, morën pjesë në "Tingujt e Çarshisë", në frymën e idesë së manifestimit për të qenë multikulturor.

QKI - Shkup përveç artistëve të njohur u jep shans edhe debutuesve të rinj, të cilët filluan karrierën e tyre pikërisht këtu, në këtë vend, në këtë manifestim.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.