Kulturë

Organizohet Java e Filmit Turk në Maqedoninë e Veriut

Në kuadër të Javës së Filmit Turk, në Shkup do të organizohen shfaqje të filmave dhe biseda me artistë, me pjesëmarrje të regjisorëve, producentëve dhe aktorëve të shquar të kinematografisë turke

Bekim Laci  | 17.04.2019 - Përdıtësım : 18.04.2019
Organizohet Java e Filmit Turk në Maqedoninë e Veriut

Shkup

Me mbështetje të Drejtorisë së Përgjithshme të Kinematografisë pranë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë, më 23-26 prill 2019 në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, do të realizohet Java e Filmit Turk si dhe Punëtoria e kinematografisë Turqi-Maqedonia e Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të Javës së Filmit Turk, në Shkup do të organizohen shfaqje të filmave dhe biseda me artistë, me pjesëmarrje të regjisorëve, producentëve dhe aktorëve të shquar të kinematografisë turke, të cilët në periudhën e fundit janë dalluar me veprat e tyre.

Përveç kësaj, në njoftimin e bërë nga Java e Filmit Turk, do të organizohet edhe një punëtori të titulluar "Kinematografia e Turqisë - Maqedonia e Veriut", në të cilën figurat më të shquara të kinematografisë të të dyja vendeve, do të kenë mundësi të hedhin hapa konkret drejt avancimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit tashmë të suksesshëm mes vendeve.

Ceremonia e hapjes së Javës së Filmit Turk do të mbahet më 23 prill në kompleksin e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup, ku do të shfaqet filmi "Bal Kaymak", xhirimi i të cilit është realizuar në Maqedoninë e Veriut.

Në shfaqjen e filmit "Bal Kaymak" do të marrin pjesë regjisori i filmit Onur Tan dhe aktorë të njohur të kinemasë dhe teatrit nga Turqia, si Tarık Ünlüoğlu, Gülenay Kalkan, Oktay Kaynarca, Yunus Emre Yıldırımer, Melissa Yıldırımer dhe Sabina Tozija nga Shkupi, pas çka filmdashësit do të kenë mundësi të zhvillojnë bisedë me regjisorin dhe aktorët e filmit.

Një ditë më vonë do të realizohet një punëtori, në të cilën do të marrin pjesë kinematografë nga Turqia dhe Maqedonia e Veriut dhe përfaqësues të Ministrive të Kulturës të dy vendeve. Në punëtorinë do të prezantohen edhe subvencionet të cilat i ofron Ministria e Kulturës dhe turizmit të Republikës së Turqisë në këtë fushë, të cilat besojmë që do të kontribuojnë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tashmë konstruktive midis dy vendeve në fushën e kinematografisë.

Po ashtu, më 24-26 prill 2019, në shfaqje të ndryshme në kinemanë Milenium në Shkup, si dhe në kampuset e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik dhe Shkollës Ndërkombëtare Maarif në Tetovë, filmdashësit do të kenë mundësi t'i shohin filmat "Kaos" (Regjisor-Producent: Semir Aslanyürek), "Aydede" (Regjisor: Abdurrahman Öner; Producent: Arzu Şenses Öner), "Hürkuş" (Regjisor: Kudret Sabancı), "Halef" (Regjisor: Murat Düzgünoğlu) dhe "Të gjitha lumturitë janë të mundura (Bütün Saadetler Mümkündür)" (Rregjisor: Zülfikar Kürüm), ndërsa më pas do të realizohen biseda me regjisorët dhe producentët.

Krahas kësaj, do të bëhet edhe shfaqja e dokumentarëve "Göbeklitepe" (Autor: Prof.Dr. Oğuz Makal) dhe "Tamburica" (Autor: Sali Saliji), kurse me pjesëmarrjen e autorëve, shikuesit do të kenë mundësi t'i vlerësojnë filmat dokumentarë.

Java e Filmit Turk dhe punëtoria e kinematografisë Turqi - Maqedonia e Veriut do të mbyllet në Kompleksin e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik në Shkup më 26 prill 2019, me një koncert të Orkestrës Simfonike Ballkanike të Universitetit të Trakisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın