Kulturë

Ankara, hapet ekspozita e "Istanbul Photo Awards"

Kryeredaktori i përgjithshëm i AA-së, Metin Mutanoğlu, tha se Istanbul Photo Awards që organizohet nga AA ka dëshmuar se ishte një konkurs prestigjioz në gjithë botën

Ali Murat Alhas  | 18.09.2019 - Përdıtësım : 19.09.2019
Ankara, hapet ekspozita e "Istanbul Photo Awards" ( Erçin Top - Anadolu Agency )

Ankara

Anadolu Agency (AA) ka hapur një ekspozitë në stacionin qendror të trenave në Ankara, ku po ekspozohen fotografitë e shpërblyera të konkursit ndërkombëtar Istanbul Photo Awards 2019.

Ekspozita u ofron kalimtarëve të rastit mundësi për të vështruar fotografitë më të suksesshme të konkursit ndërkombëtar të fotografisë, i cili mbahet çdo vit që nga viti 2015 me pjesëmarrjen e rreth 100.000 garuesve.

"Si Ministri e Kulturës dhe Turizmit, ne mirëpresim përpjekjet dhe veprat e tilla dhe i shohim si një pjesë e rëndësishme e jetës sonë kulturore", tha zëvendësministri i Kulturës dhe Turizmit, Serdar Çam.

Fotografitë, të cilat përshkruajnë ngjarje dhe incidente të ndryshme si migrimi, katastrofat natyrore dhe përpjekjet e njerëzve nëpër botë, ishin domethënëse dhe përzgjedhja e ekspozitës ishte një sukses i plotë, shtoi ai.

Ndërkaq, kryeredaktori i përgjithshëm i AA-së, Metin Mutanoğlu, tha se konkursi i fotografisë i ka inkurajuar fotografët në të gjithë botën, duke shtuar se Istanbul Photo Awards që organizohet nga AA ka dëshmuar se ishte një konkurs prestigjioz në gjithë botën.

Mutanoğlu falënderoi Turkish Airlines dhe Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) për kontributin e tyre në konkursin ndërkombëtar të fotografisë.

Fitues i çmimit "Fotografia e Vitit" për këtë vit ishte një fotografi e shkrepur nga Ahmad Gharabli nga AFP, në të cilën shihet një grua palestineze duke iu kundërpërgjigjur me të njëjtën masë një ushtari izraelit, i cili po e fotografonte atë gjatë protestave kundër vendimit të SHBA-së për zhvendosjen e ambasadës në Kuds.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.