Kulturë

Tiranë, ekspozitë me piktura për Çamërinë

Në ekspozitën "Unë e dua Çamërinë" prezantohet trashëgimia kulturore, si dhe peizazhet nga krahina e Çamërisë, ndërsa nuk mungojnë as punimet për shtëpitë e rrënuara

Fatjon Cuka  | 20.06.2018 - Përdıtësım : 21.06.2018
Tiranë, ekspozitë me piktura për Çamërinë

Tiranë

TIRANË (AA) - Në kuadër të aktiviteteve për "Javën e Historisë dhe Kulturës Çame", në Tiranë është hapur ekspozita "Unë e dua Çamërinë", me punime të disa piktorëve shqiptarë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ekspozita me rastin e 74-vjetorit të përkujtimit të gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, këtë vit vjen ndryshe, në formën e artit, duke u prezantuar trashëgimia kulturore, si dhe peizazhet nga krahina e Çamërisë, ndërsa nuk mungojnë as punimet për shtëpitë e rrënuara.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, mbajti një fjalë përshëndetëse kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, i cili tha se pikturat e sjellin Çamërinë me një vlerë tjetër të jashtëzakonshme.

"Ne e dimë shumë mirë që këngët, vallet dhe historia e kanë karakterizuar krahinën e Çamërisë, si një pjesë të kolanës së vlerave të të gjithë shqiptarëve. Kësaj radhe donin ta sillnim Çamërinë ndryshe, Çamërinë e bukur, të jashtëzakonshme, që kushdo që shkon dhe e shikon e kupton sesa e bukur dhe çfarë vlerash të jashtëzakonshme ka, por edhe Çamërinë ashtu siç e kemi lënë ne, me shtëpitë e rrënuara", u shpreh Idrizi.

Ekspozita e organizuar nga PDIU dhe Shoqata "Çamëria" do të qëndrojë e hapur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë deri më 27 qershor, ndërsa pjesë e saj janë rreth 40 piktura të cilat janë realizuar pas vizitës që kanë kryer në Çamëri një grup piktorësh shqiptarë.

Aktivitetet e "Javës Çame" përfshijnë ekspozita, promovime librash, dhe aktivitete të tjera, dhe do të përfundojnë më 23 qershor, me pelegrinazhin e përvitshëm që organizohet në Varrezat Monumentale të Kllogjerit, në përkujtim të gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Kujtojmë se nga masakrat dhe gjenocidi grek ndaj popullsisë çame në vitet 1944-1945 mbetën të vdekur mijëra shqiptarë të Çamërisë dhe mijëra të tjerë u shpërngulen nga tokat e tyre.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın