Besar Ademi
17 Nëntor 2015•Përditësim: 18 Nëntor 2015
TETOVË (AA) – Për të katërmbëdhjetën herë me radhë Panairi i Librit shqip i organizuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë në Maqedoni, me një ceremoni u bë hapja solemne e Panairit të Librit “Tetova 2015”. Këtë vit në Panairin e Librit marrin pjesë 40 shtëpi botuese nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas kryetarit të Shoqatës Botuese të Shqiptarëve në Maqedoni, Qamil Rufati, Panairi Tetovës deri më tani ka treguar se është një aktivitet i madh vjetor, i cili nga vit në vit shënon rezultate në rritje.
“Organizimi i tij është ngjarja më e madhe kulturore dhe pasqyrim i veprimtarisë librore, që zhvillohet jo vetëm brenda Maqedonisë, por edhe në të gjithë hapësirën shqiptare, në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi. Panairi i Librit do të shndërrohet në një ngjarje të rëndësishme kulturore, që do të ketë si objekt paraqitjen e botimeve më të mira të vitit 2015”, deklaroi Rufati.
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, në fjalën e saj theksoi se ajo që ka munguar në të kaluarën në këtë popull, ishte mungesa institucionale e përkrahjes së evenimenteve dhe aktiviteteve të kësaj natyre.
“Një i tillë është pikërisht edhe Panairi i Librit, të tillë kanë qenë Ditët e Naimit, si dhe shumë manifestime të cilat Komuna e Tetovës ka vendosur që t’i institucionalizojë duke ndarë një buxhet modest, aq sa këto ngjarje të mos jenë vetëm një vullnet i mirë i njerëzve që e duan librin, por në të njëjtën kohë të kenë edhe peshën e tyre institucionale”, tha Arifi.
Shoqata e Botuese e Shqipëtarëve në Maqedoni, krahas çmimeve tradicionale, këtë vit ndau edhe çmimin “Ramadan Sinani”, poet veprën e të cilit e kanë vlerësuar emra të njohur studijuesish shqiptarë dhe të huaj. Çmimi “Ramadan Sinani” iu nda poetit nga Kosova, Lulzim Tafa, i cili e pranoi çmimim me kënaqësi të madhe.
Shoqata e Botuesve Shqiptarë të Maqedonisë u themelua në vitin 2000 me seli në Shkup. Që nga themelimi i saj, ajo ka ngritur iniciativa qytetare për avancimin e kulturës dhe botimeve në gjuhën shqipe. Kjo shoqatë ka marrë pjesë në dhjetra panaire vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa nga viti 2000 organizohen panaire libri në Tetovë, Shkup dhe Strugë.