Turqia, Kulturë

Qyteti nëntokësor në Turqinë qendrore magjeps vizitorët me varret e lashta

Qyteti nëntokësor, i vendosur në provincën Aksaray, është vendi ku ndodhen gjithsej 35 varre

Zekeriya Karadavut   | 20.09.2021
Qyteti nëntokësor në Turqinë qendrore magjeps vizitorët me varret e lashta

Stamboll

Qyteti i lashtë nëntokësor i Shën Mërkurit (St. Mercurius) në Turqinë qendrore u bën përshtypje vizitorëve me kishat dhe varret që gjenden në të, raporton Anadolu Agency (AA).

Qyteti nëntokësor, i vendosur në provincën Aksaray, në qytezën Saratlı, është vendi ku ndodhen gjithsej 35 varre të lashta dhe një kafkë njerëzore e cila u zbulua se i përkiste gruas së Shën Mërkurit.

Shën Mërkuri, i lindur në rajonin Kapadokya gjatë Perandorisë Romake, ishte një komandant që jetoi në vitet 225-250.

Pasi deklaroi se ishte i krishterë, Mërkuri u dëbua në Kapadokya nga perandori romak Decius dhe u strehua në qytetin nëntokësor.

Perandori pastaj dërgoi njerëzit e tij në qytet për ta ekzekutuar atë dhe familjen e tij me prerje koke dhe më vonë i varrosi në një kishë në rajon.

Ndërkohë, kafka e Mërkurit u dërgua në Kajro, kryeqytetin e Egjiptit.

Pas periudhës së Shën Mërkurit, qyteti nëntokësor shërbeu si strehë për të krishterët e hershëm që po iknin nga ndjekjet penale të romakëve në rajonin Kapadokya.

Gërmimet filluan në qytet në vitin 2011, që zgjatën deri në vitin 2016. Tre kate të vendbanimit nëntokësor 7-katësh janë pastruar gjatë kësaj pune dhe janë hapur për turizëm.

Duke folur për AA, zyrtari i Muzeut të Aksaray-it, Yusuf Altın tha se varret në qytet tërheqin vëmendjen e madhe të turistëve vendas dhe të huaj.

"Tipari më i rëndësishëm që e dallon qytetin nëntokësor Shën Mërkuri nga qytetet e tjera nëntokësore është se ai ka kisha dhe varre. Gjatë studimeve tona, ne zbuluam se Shën Mërkuri dhe familja e tij ishin varrosur në këto varre. Turistët që vizitojnë rajonin pyesin veten se si janë bërë këto varre", tha Altın.

Natali Zakharova, një turiste ruse tha: "Qyteti nëntokësor më magjepsi, ka një cilësi mistike. Ne u befasuam shumë kur pamë varret dhe kafkën".

"Unë u intrigova nga kafka në varreza. Kisha një ndjenjë shumë të çuditshme", tha për AA Marina Katirbolava, një turiste tjetër ruse.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın