Kulturë

Aktorja e njohur iraniane, Niki Karimi, lavdëron serialet dhe filmat turq

Duke thënë se Turqinë e sheh dhe e do si një vend interesant, Karimi theksoi se ka shumë lidhje të përbashkëta kulturore mes dy vendeve

Aişe Hümeyra Bulovalı   | 29.11.2021
Aktorja e njohur iraniane, Niki Karimi, lavdëron serialet dhe filmat turq ( Şebnem Coşkun - Anadolu Agency )

Stamboll

Aktorja, regjisorja dhe producentja iraniane, Niki Karimi, deklaroi se ndihet dhe shihet qartë që Turqia është një urë kulturore midis Perëndimit dhe Lindjes.

Karimi, e cila këtë vit erdhi në Stamboll si kryetare e jurisë së Konkursit të Filmit të Metrazhit të Gjatë "Peshorja e Artë" të Festivalit të 11-të Ndërkombëtar të Filmit Krim dhe Ndëshkim, u prononcua për Anadolu Agency (AA).

Karimi, një nga emrat kryesorë të gjeneratës së re të kinemasë iraniane pas revolucionit islamik, deklaroi se merr pjesë për herë të dytë në një festival në Stamboll dhe tha se në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Krim dhe Ndëshkim ka ardhur përmes producentes Zeynep Atakan.

- "Është një akt i admirueshëm që filmat me temën e demokracisë dhe drejtësisë shfaqen në një festival"

Duke u shprehur se filmat që iu shfaqën audiencës në festival i konsideroi shumë të suksesshëm, Karimi tha: "Është e dukshme se organizatorët i shikojnë dhe i vëzhgojnë shumë mirë filmat. Drejtësia, siç e dini, është tema kryesore e festivalit dhe është një akt i admirueshëm që në një festival shfaqen filma me temë për demokracinë dhe drejtësinë".

Duke përgëzuar gratë që punojnë në festival, Karimi tha: "Unë si grua punoj edhe në vendet e Lindjes. Është e rëndësishme që gratë janë në këto fusha. Nuk ka rëndësi sa të mëdha janë festivalet e tilla, është me të vërtetë e rëndësishme që ato të jenë të qëndrueshme si aktivitet kulturor në një farë mënyre, që njerëzit të bashkohen dhe të shkëmbejnë ide".

Niki Karimi theksoi se vitin e kaluar mori pjesë si juri në Festivalin e 57-të të Filmit në Antalya Golden Orange.

"Kam qenë në juri në festivale në Izmir, Antalya dhe në Stamboll. Kam shumë miq regjisorë turq. Ne takohemi nëpër festivale. Hera e parë që kam marrë pjesë si anëtar jurie ka qenë Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Selanik. Filmi i Nuri Bilge Ceylan "Uzak" pati marrë një çmim. Ia kemi dhënë çmimin me anëtarët e tjerë të jurisë. Unë e ndjek gjithmonë nga afër kinemanë turke dhe është në një pozicion të respektueshëm për mua. Ka shumë filma të pavarur", deklaroi Karimi.

- Ndihem shumë pranë popullit turk

Duke thënë se Turqinë e sheh dhe e do si një vend interesant, Karimi theksoi se ka shumë lidhje të përbashkëta kulturore mes dy vendeve.

Aktorja iraniane theksoi se Turqinë e ka njohur më së shumti përmes leximeve të saj mbi letërsinë, por nëse do të gjente kohë, do të donte të vizitonte rajone të ndryshme të Turqisë dhe të njihte më nga afër kulturën turke.

Duke thënë se në Turqi ka shumë shkrimtarë dhe poetë të suksesshëm, Karimi theksoi se shihet dhe vërehet që Turqia është një urë kulturore midis Perëndimit dhe Lindjes. Ajo më tej tha se edhe pse nuk ka qenë shumë në Turqi, ndihet shumë afër me zemër me popullin turk.

Karimi tha gjithashtu se serialet turke pëlqehen dhe shikohen në Iran.

"Unë shoh që shumë aktorë turq punojnë me shumë kujdes. Kjo është një pikë interesante për mua", u shpreh ajo.

Në lidhje me filmin “Atabay”, i cili është prodhuar në turqishten e Iranit (dialekt i turqishtes së Azerbajxhanit) dhe në persishte, i cili u shfaq premierë në Tabriz pak ditë më parë, Karimi deklaroi: "Në fakt, bëra një film të pavarur. Nuk kam menduar kurrë sesi publiku do të komunikonte me filmin. Por u bë një pikë interesante edhe për mua. Njerëzit e donin historinë e filmit. Si gjuha e filmit, ashtu edhe historia e dashurisë në të tërhoqi vëmendjen e publikut. Ajo që ata më thanë ishte: 'Ne shkuam në kinema për këtë film pas disa muajve ndërprerje dhe na erdhi shumë mirë'. Unë dua shumë që filmi të shfaqet edhe në Turqi. Ndoshta edhe publiku turk mund të ndërlidhet me filmin për shkak të gjuhës së tij. Kam pasur diskutime rreth tij këtu gjatë festivalit. Shpresoj që të arrijmë në një përfundim".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın