Mehmet Çetin
10 Maj 2021•Përditësim: 11 Maj 2021
Mehmet Çetin
Qendrat për mësimin e gjuhës turke janë hapur në shumë vende dhe interesimi për mësimin e kësaj gjuhe në botë është rritur, tha një profesor universitar i gjuhës dhe letërsisë.
Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), İdris Nebi Uysal, kryetar i Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Turke pranë Fakultetit të Letërsisë në Universitetin Karamanoğlu Mehmetbey, përmendi poetin Yunus Emre si një nga kontribuesit më të mëdhenj në gjuhën turke.
Ai tha se përkujtimi i 700-vjetorit të vdekjes së tij është futur në mesin e përvjetoreve të vitit 2021 nga UNESCO dhe se viti 2021 në Turqi është shpallur si "Viti i Yunus Emresë dhe Gjuhës Turke" me një dekret nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan.
Uysal theksoi se që një gjuhë të pranohet si gjuhë botërore, ajo duhet të ketë një sërë tiparesh, të cilat, sipas tij, gjuha turke i zotëron.
"Në mënyrë që një gjuhë të pranohet si gjuhë botërore, kriteret si lashtësia ose thellësia e saj, numri i folësve, gjerësia gjeografike, fjalori, fjalët që ua ka dhënë gjuhëve të botës, të mësuarit si gjuhë e dytë, janë të rëndësishme", tha Uysal.
"Turqishtja është gjuhë me dokumente historike që datojnë nga vitet 3.500 para erës sonë. Sipas gjetjeve të UNESCO-s, 220 milionë njerëz flasin turqisht në një gjeografi shumë të gjerë. Turqishtja ka qenë gjuha e kulturës, letërsisë dhe arsimit në çdo periudhë të historisë", shtoi ai.
Sipas tij, gjuha turke përmban mbi 700 mijë fjalë.
"Turqishtja gjithmonë përmendet si gjuhë që ka marrë fjalë nga gjuhë të tjera, por numri i fjalëve që turqishtja ua ka dhënë gjuhëve të tjera është mjaft i lartë. Në veçanti, fjalë të shumta janë marrë nga gjuhët që fliten në Ballkan, gjuha arabe, gjuha perse, armene dhe gjeorgjiane. Interesi për të mësuar turqishten është rritur kohët e fundit. Qendra për mësimin e gjuhës turke janë hapur në shumë vende. Po ashtu, shumë njerëz vijnë në vendin tonë për të mësuar turqishten", deklaroi Uysal për AA.