Kulturë

Nënshkruhet kalendari i përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë

Ky kalendar përmban ekspozita, koncerte, festivale, shfaqje teatrale, shfaqje filmash, konferenca të përbashkëta, shkëmbime eksperiencash dhe aktivitete të përbashkëta të trashëgimisë kulturore

Saimir Alija   | 09.04.2019
Nënshkruhet kalendari i përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Nëpërmjet një ceremonie të organizuar në Tiranë është nënshkruar dhe prezantuar kalendari i përbashkët kulturor mes Shqipërisë dhe Kosovës për vitin 2019, raporton Anadolu Agency (AA).

Kalendari vjetor kulturor mes dy vendeve u nënshkrua nga ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Kujtim Gashi, të cilët folën edhe për mediat.

Në fjalën e saj Margariti tha se nënshkrimi i kalendarit është finalizimi i marrëveshjes midis një familjeje të madhe.

"Gjithmonë jemi të qartë që kornizat e plota dhe të qarta ligjore janë ato që na krijojnë bazën e shëndoshë për të vijuar më tej një traditë, e cila ka kohë që ka filluar. Prej 2014 kultura ka treguar që i ka lidhur këto dy vende dhe këtë kultura gjithmonë e ka treguar", theksoi Margariti.

Sipas saj, kufijtë kultura i ka kapërcyer më shpejt se shumë dimensione të tjera që lidhin dy vendet. "Aktivitetet janë vetëm një pikë e vogël lidhëse, janë vetëm disa kontakte të vazhdueshme të formalizuara brenda një kalendari. Jemi në dakordësi që do të ketë dhe shumë të tjera më pas. Kjo traditë tashmë e ka treguar që po fton gjithmonë e më tepër persona nga Kosova dhe Shqipëria për të krijuar urën lidhëse midis aktiviteteve kulturore", tha Margariti.

- "Moment i rëndësishëm për Kosovën dhe Shqipërinë"

Ndërsa ministri Gashi në fjalën e tij u shpreh se kalendari i përbashkët kulturor mes dy vendeve për vitin 2019 parashikon aktivitete të shumta kulturore si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë.

"Komuniteti artistik si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë janë duke vepruar si një familje e madhe e përbashkët mes dy vendeve. Ka qenë një përkushtim i dy ministrive për të arritur deri tek finalizimi i këtij dokumenti me një rifreskim të aktiviteteve të shumta", tha Gashi.

Sipas tij, tashmë është krijuar një traditë organizimesh të aktiviteteve të përbashkëta që kanë karakter vendor dhe ndërkombëtar. "Ky është një moment shumë i rëndësishëm për Kosovën, Shqipërinë dhe për komunitetin tonë kulturor në përgjithësi", shtoi ai.

Gjithashtu Gashi tha se me ministren Margariti kanë diskutuar edhe për krijimin e një fondi të përbashkët kulturor, për të mbështetur dhe financuar sipas tij, edhe skenën e pavarur kulturore.

Nënshkrimi i kalendarit të përbashkët kulturor mes dy vendeve është i bazuar në "Deklaratën e përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës" nënshkruar në Prizren më 11 janar 2014.

Ky kalendar aktivitetesh përmban ekspozita, koncerte, festivale, shfaqje teatrale, shfaqje filmash, konferenca të përbashkëta, shkëmbime eksperiencash dhe aktivitete të përbashkëta të trashëgimisë kulturore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın