Behçet Alkan
01 gusht 2026•Përditësim: 01 gusht 2026
Mustafa Ari, 57-vjeç, banor i Nevsehirit, Turqi, e ka shndërruar një pjesë të shtëpisë së tij në një "muze përkujtimor", ku ekspozon sendet e përditshme të banorëve të lagjes që kanë ndërruar jetë.
Në muze, ku ekspozohen qindra sende, nga syzet e deri te makina e shkrimit, aparati i rrojës dhe gramafoni, ruhen gjallë kujtimet e banorëve të ndjerë të lagjes.
Mustafa, i cili prej rreth 30 vitesh punon për ngritjen e këtij muzeu, tha për Anadolu se synimi i tij nuk është vetëm ruajtja e sendeve të vjetra, por përcjellja e kujtesës së fshatit te brezat e ardhshëm.
Ai tregoi se punën për muzeun e nisi vite më parë me vetëm disa sende dhe se, me kalimin e kohës, koleksioni u zgjerua edhe falë mbështetjes së banorëve të fshatit.
Duke shpjeguar se ruan sendet me vlerë kujtimi që të ndjerët kanë lënë pas, të cilat i merr nga familjarët e tyre, Mustafa tha:
"Marrim dhe mbledhim sendet e njerëzve që kanë vdekur në fshat. Një pjesë të shtëpisë sonë ia kemi kushtuar tërësisht këtij qëllimi. E kemi shndërruar në muze. Që emrat e njerëzve të mos mbeten vetëm në gurët e varreve, ne këtu mbajmë gjallë kujtimet e tyre".
Ai tha se pastrimi dhe mirëmbajtja e sendeve bëhen nga bashkëshortja dhe nusja e djalit të tij, duke shtuar se e gjithë familja është e lumtur që kontribuon në ruajtjen me përkushtim të këtyre kujtimeve.
Ai tregoi se së fundmi, dy javë më parë, në muze vendosi uniformën kamuflazh dhe targën identifikuese ushtarake të nënoficerit Murat Aksoy, i cili humbi jetën në spital ku po trajtohej për kancer.
Mustafa deklaroi se dëshiron që ky muze të vazhdojë edhe pas tij.