Mjeshtri Ali mban gjallë trashëgiminë kulturore të trokitëseve prej bakri të dyerve
Trakulloret prej bakri, përveç vlerës estetike që mbartin përmes motiveve të tyre, ruajnë dhe përcjellin deri në ditët e sotme besimet dhe traditat e kultivuara prej shekujsh.
Kemal Özdemir
01 gusht 2026•Përditësim: 01 gusht 2026
photo: Kemal Özdemir / AA
ERZINCAN
Ali Demirci, i cili përfaqëson brezin e gjashtë të mjeshtërve të prodhimit të trokitëseve të dyerve në rrethin Kemaliye të Erzincanit në Turqi, mban gjallë trashëgiminë kulturore duke gdhendur në bakër motive të trashëguara ndër breza.
Trakulloret prej bakri, të cilat u regjistruan më 2 shtator 2025 si tregues gjeografik me emërtimin "Trakullorja e derës së Kemaliyes", përveç vlerës estetike që mbartin përmes motiveve të tyre, ruajnë dhe përcjellin deri në ditët e sotme besimet dhe traditat e kultivuara prej shekujsh.
Foto : Kemal Özdemir/AA
Demirci, i cili vazhdon ta ushtrojë këtë zanat në rreth, punon për ruajtjen e trashëgimisë kulturore duke gdhendur në bakër me metoda tradicionale motive të frymëzuara nga shtëpitë historike të Kemaliyes.
Duke gdhendur me metoda tradicionale në bakër dhjetëra figura, nga pema e jetës e deri te dielli, dhia e egër malore, akrepi dhe gjarpri, Demirci ua përcjell brezave të ardhshëm motivet autentike të shtëpive historike përmes trakulloreve të dyerve që përgatit.
- "Regjistrimi ishte shumë i rëndësishëm për Kemaliyen"
Demirci tha për Anadolu se familja e tij prodhon trakullore prej gjashtë brezash.
Duke treguar se zanatin e ka mësuar nga babai i tij, ai tha: "Babai im i ndjerë ishte një mjeshtër i madh. Ai dha shumë mund në punimin e trakulloreve. Deri në orën 2 apo 3 të natës merrej me vizatimin e motiveve. Punonte pa pushim ditë e natë. Ky zanat sot ka arritur në një nivel të caktuar, por për fat të keq ai nuk jetoi mjaftueshëm për ta parë këtë. Falënderoj të gjithë ata që kontribuuan në regjistrimin e trakulloreve . Ky ishte një hap shumë i rëndësishëm për Kemaliyen. Falë Zotit, ato më në fund morën vlerësimin që meritonin".
Foto : Kemal Özdemir/AA
Ai tha se deri më sot kanë prodhuar 67 modele të ndryshme trakulloresh për dyer të jashtme, të gjitha të frymëzuara nga dyert autentike të shtëpive historike të Kemaliyes.
Aliu tha se trakulloret mund të përdoren jo vetëm në dyer prej druri, por edhe në ato prej çeliku, duke shtuar se prodhojnë edhe panele dekorative dhe mbajtëse çelësash.