Kulturë

Me shfaqjen e “Karnevalit të Korçës” fillon festivali ndërkombëtar “Skupi”

Festivali ndërkombëtar i teatrit “Skupi” do të zgjasë deri më 27 tetor dhe do të shfaqen edhe gjashtë performanca të tjera teatrore nga rajoni dhe Rusia

Besar Ademi   | 21.10.2019
Me shfaqjen e “Karnevalit të Korçës” fillon festivali ndërkombëtar “Skupi” Foto: Besar Ademi/AA

Shkup

Me shfaqjen e “Karnevalit të Korçës” të produksionit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, në Teatrin e Komedisë në Shkup ka filluar edicioni i 13-të i Festivalit ndërkombëtar të teatrit “Skupi”, raporton Anadolu Agency (AA).

Festivali ndërkombëtar i teatrit “Skupi” do të zgjasë deri më 27 tetor dhe do të shfaqen edhe gjashtë performanca të tjera teatrale nga rajoni dhe Rusia.

Këtë vit, Festivali ndërkombëtar i teatrit “Skupi” mbështetet nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë së Veriut, Qyteti i Shkupit, Teatri i Komedisë dhe Telekom Maqedoni. Ministri i Kulturës i Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili, në ceremoninë e hapjes së festivalit tha se ky manifestim që 13 vite me radhë e pasuron jetën kulturore të vendit.

“Kultivimi i këtij festivali është një mundësi për ta ndjekur aktivitetin e aktorëve nga vendi, si dhe të mysafirëve nga Serbia, Kosova, Rusia, Bullgaria e Sllovenia, të cilët nëpërmjet veprave teatrale na sjellin diçka të re dhe të ndryshme në skenën tonë kulturore”, u shpreh Ismaili.

Shfaqja që hapi këtë festival, “Karnevali i Korçës” i shkruar nga Spiro Çomora me regji nga Altin Basha, është një komedi e shekullit të 19-të që tregon natyrën e të pasurve dhe tendencat e tyre për t'i dirigjuar martesat midis të rinjve nga familjet e pasura.

Netëve të tjera, në festivalin “Skupi” do të shfaqen “Xhaxha Vanja” nga teatri “Vazrazhdane” nga Sofia, “Perëndimi i vetmuar” nga teatri “U Mosta” nga qyteti rus Perm, “Gratë e Ibsemit” nga teatri “Poket” i Ljubljanës, “Kirili dhe Klodelli” nga teatri “Plus” i Beogradit, “Natën ma” nga teatri “Metropol” i Tiranës, si dhe shfaqja maqedonase “Gratë para sulmit nervor” nga Teatri i Komedisë.

Për shfaqjen më të mirë në këtë edicion të festivalit do të kujdeset juria e përbërë nga aktorja e njohur Yllka Mujo, gazetari dhe kritiku teatror, Emin Azemi dhe aktori nga teatri popullorë maqedonas, Borçe Naçev.

Sipas organizatorëve, shtatë shfaqjet në festivalin “Skupi” u përzgjodhën nga gjithsej rreth 100 që aplikuan, ndërsa programi është hartuar me një kompromis midis aftësive të tyre dhe dëshirës për të prodhuar shfaqje cilësore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.