Dilara Hamit
24 korrik 2026•Përditësim: 24 korrik 2026
Këngëtari amerikan Chris Brown ka pranuar fajësinë për veprën penale të përleshjes lidhur me një incident në një klub nate në Londër në vitin 2023, transmeton Anadolu.
37-vjeçari e pranoi fajësinë gjatë një seance në Gjykatën e Kurorës në Southwark, e cila zgjati më pak se pesë minuta.
Edhe bashkë i pandehuri i tij, Omololu Akinlolu, reper amerikan 40-vjeçar i njohur me emrin artistik Hoody Baby, pranoi fajësinë për të njëjtën akuzë.
Sipas akuzës së pranuar nga të pandehurit, Brown dhe Akinlolu “kanë përdorur ose kanë kërcënuar me dhunë të paligjshme një person tjetër” në një mënyrë që “do ta bënte një person me qëndrueshmëri të arsyeshme, i pranishëm në vendngjarje, të kishte frikë për sigurinë e tij personale”.
Çështja lidhet me një incident ku u përfshi producenti muzikor Abraham Diaw në klubin e natës Tape, në lagjen Mayfair të Londrës, në shkurt të vitit 2023. Prokuroria pretendon se Brown kreu një sulm të paprovokuar duke përdorur një shishe tekile. Incidenti u regjistrua nga kamerat e sigurisë brenda lokalit.
Brown dhe Akinlolu kishin mohuar më parë akuzat për tentativë për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore dhe për sulm që shkaktoi lëndime trupore. Prokuroria njoftoi se nuk do t’i ndiqte më këto akuza, pasi të dy pranuan fajësinë për akuzën e përleshjes.
Një akuzë e veçantë ndaj Brown për posedim të një arme sulmuese u rrëzua gjithashtu.
Brown u arrestua në Manchester në maj të vitit 2025, pasi u kthye në Mbretërinë e Bashkuar për herë të parë që nga incidenti. Fillimisht ai u mbajt në paraburgim, por më vonë u lirua pasi depozitoi një garanci prej 5 milionë paundësh (rreth 6.7 milionë dollarë në atë kohë), gjë që i lejoi të vazhdonte turneun e planifikuar.
Gjykatësi Tony Baumgartner i la të dy të pandehurit të lirë me kusht dhe caktoi shpalljen e dënimit për 26 tetor të vitit 2026, datë në të cilën fillimisht ishte paraparë të niste gjykimi i tyre.