Kulturë

Hapet ekspozita "Kthim në kohë-Shqipëria e viteve 90-të"

Sipas Veliajt, duke parë veten të 30 viteve më parë, duhet bërë një bilanc jo vetëm politik, financiar, por dhe një bilanc shpirtëror të mentalitetit dhe kulturës

Saimir Alija   | 24.01.2019
Hapet ekspozita "Kthim në kohë-Shqipëria e viteve 90-të" ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

TIRANË (AA) - Në Tiranë sonte për publikun është hapur ekspozita "Kthim në kohë- Shqipëria e viteve 90-të", ku janë ekspozuar dhjetëra fotografi nga aspekte të ndryshme të jetës së atyre viteve, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitetin e hapjes së ekspozitës së fotografit austriak, Robert Pichler, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, ambasadorë dhe artdashës të kryeqytetit të Shqipërisë.

Në fjalën e tij kryebashkiaku Veliaj tha se kjo ekspozitë është një rikthim në fëmijëri, të emancipimit dhe të hapjes së viteve 1990. “Vite të vështira, ku duhet të na fotografonte dikush tjetër, sepse shumica prej nesh ishin aq shumë të zënë duke menaxhuar dramat tona dhe nuk kishim kohë të fotografonim atë që po bënim. Ndoshta është një rikthim për t’u parë në pasqyrë, por në një pasqyrë të shumë viteve të kaluara për të kuptuar sa kemi ndryshuar. Për të kuptuar që ky vend ka shumë probleme, por kemi bërë goxha rrugë nga ajo e kaluar”, deklaroi Veliaj.

Sipas Veliajt, duke parë veten të 30 viteve më parë, duhet bërë një bilanc jo vetëm politik, financiar, por dhe një bilanc shpirtëror të mentalitetit dhe kulturës.

Ndërsa drejtori i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, Dorian Koçi, në fjalën e tij përshëndetëse në aktivitet theksoi se ekspozita është një rikujtesë e memories historike dhe antrapologjike të shtegtimit të Shqipërisë.

“Kemi qenë me fat që kemi miq kaq të mirë si fotografi Robert Pichler, i cili na ndihmon, pasi Muzeu Historik Kombëtar prej kohësh ka hapur një debat mbi të shkuarën, nga vijmë, ku kemi qenë dhe ku do të arrijmë. Këto foto dhe debatet kulturore të hapura tashmë në Shqipëri do të bëjnë të mundur që t’i rikthehemi dhe një herë vetes tonë në pasqyrën për të parë se si duhet të jemi”, tha Koçi.

Ekspozita është hapur nën kujdesin e Ambasadës së Austrisë në Shqipëri dhe Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë.

Ekspozita "Kthim në kohë-Shqipëria e viteve 90-të" për 18 muaj me radhë u hap në disa qytete të ndryshme të Shqipërisë, ndërsa për artdashësit e kryeqytetit ekspozita me dhjetëra fotografi nga aspektet e jetës në qytete, por edhe në fshat do të qëndrojë e hapur deri më 3 shkurt në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın