Koronavirusi

Vaksina 'Johnson & Johnson' mund të shkaktojë mpiksje të pazakontë të gjakut

"Një paralajmërim për mpiksjen e pazakontë të gjakut me trombocite të ulëta të gjakut duhet të shtohet në informacionin e produktit për vaksinën COVID-19 Janseen", njoftoi rregullatori i BE-së

Ekip  | 20.04.2021 - Përdıtësım : 21.04.2021
Vaksina 'Johnson & Johnson' mund të shkaktojë mpiksje të pazakontë të gjakut Foto: AA/Arhiv

Bruksel

Agjencia Evropiane e Mjekësisë (EMA) ka konfirmuar se mund të ketë lidhje midis vaksinave kundër koronavirusit të ri (COVID-19) të kompanisë 'Johnson & Johnson' dhe rasteve shumë të rralla të mpiksjes së gjakut, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Një paralajmërim për mpiksjen e pazakontë të gjakut me trombocite të ulëta të gjakut duhet të shtohet në informacionin e produktit për vaksinën COVID-19 Janseen", njoftoi rregullatori i BE-së pas hetimit të komitetit të tij të sigurisë.

Por EMA mbështeti rekomandimin e saj për të përdorur dozat dhe konfirmoi se përfitimet e saj tejkaluan rreziqet e mundshme.

Hetimi po ashtu arriti në përfundim se "mpiksja e gjakut ndodhë kryesisht në pjesë të pazakonta siç janë venat në tru, në bark dhe në arterie, me nivele të ulëta të trombociteve të gjakut".

Sipas agjencisë së BE-së, mbi 7 milionë njerëz pranuan produktin e kompanisë farmaceutike 'Jonson & Johnson' dhe kjo shkaktoi mpiksje serioze të gjakut në tetë raste.

Rastet ishin shumë të ngjashme me efektet anësore të vaksinave të kompanisë 'AstraZeneca'.

Në muajin mars, disa vende evropiane, përfshirë Suedia, Gjermania, Franca, Italia, Irlanda, Holanda, Danimarka dhe Norvegjia, pezulluan për një kohë përdorimin e dozave të kompanisë 'AstraZeneca' pasi u raportuan mpiksjet e gjakut tek disa persona të vaksinuar.

Më 7 prill, hetimi i EMA-s po ashtu konkludoi se mund të ketë lidhje midis vaksinave 'AstraZeneca' dhe rasteve shumë të rralla të mpiksjes së gjakut.

Në mënyrë të ngjashme, rregullatori i BE-së mbështeti rekomandimin e saj për përdorimin e dozave pasi përfitimet ishin më të mëdha se rreziqet.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.