Koronavirusi

Shqipëri, rritet në 15 numri i të vdekurve nga koronavirusi

Në njoftimin zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thuhet se dy pacientë kanë ndërruar jetë në Spitalin Infektiv në Tiranë, të konfirmuar me COVID-19

Fatjon Cuka   | 31.03.2020
Shqipëri, rritet në 15 numri i të vdekurve nga koronavirusi

Tiranë

Në Shqipëri kanë ndërruar jetë edhe 2 persona të prekur nga koronavirusi i ri (COVID-19), ndërsa numri i të vdekurve është rritur në 15, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thuhet se dy pacientë kanë ndërruar jetë në Spitalin Infektiv në Tiranë, të konfirmuar me COVID-19.

“Pacienti 77-vjeçar I. B., nga Kavaja, i konfirmuar me COVID-19 po trajtohej prej 2 javësh. Ka ndërruar jetë gjatë ditës së sotme edhe pacienti R. P 69-vjeç nga Hasi, i konfirmuar me COVID-19, i cili është trajtuar prej 8 ditësh në Spitalin Infektiv. Shkon në 15 numri i qytetarëve që kanë humbur jetën me COVID-19 në Shqipëri”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë numri i rasteve të konfirmuar pozitiv është 243, përfshirë edhe personat që kanë ndërruar jetë, mes tyre 52 janë shëruar.

Në vend është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore për shkak të koronavirusit, ku sipas Kushtetutës së Shqipërisë mund të vendosen masa të jashtëzakonshme.

Aktualisht institucionet në Shqipëri kanë marrë masa të shumta si mbyllja e institucioneve arsimore, ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın